Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “vota nuk është tifozllëk, se jam me këtë apo kundër atij se kështu është historia. Vota nuk është histori, vota është sot kush ta bën punën”.
Gjatë një takimi në Krujë ku u prezantuan kandidatët për deputetë, kryeministri Rama tha se “këtu në Krujë është shumë interesante se një pjesë jo e vogël vazhdojnë thonë ne jemi familje tradicionale, jemi të shpronësuar, të persekutuar ne jemi me Partinë Demokratike”.
“Po përse jeni me PD-në se nuk doni mua, se nuk doni komunistët. E para e punës komunistin e keni në krye atje që nuk i ndahet asaj partie edhe kur e tërheq këmbën zvarrë dhe ka vënë një kukull atje qe të shfaqet sikur është i pari i punës dhe e drejton me telekomandë nga Lalzi”, u shpreh Rama.
“Përtej kësaj çfarë rëndësie ka kjo, por kur merr gomarin për dru dhe e ngjit atje lart e shikon nga ngjyra apo e merr gomarin që të ngjitet lart dhe që i mban drutë prej andej. Është shumë e thjeshtë vota nuk është tifozllëk, se jam me këtë apo kundër atij se kështu është historia. Vota nuk është histori, vota është sot kush ta bën punën, kush shkon deri atje lart ngarkon drutë dhe i sjell poshtë. Mund të imagjinohet kjo që në një garë mes dy gomaresh unë qenkam gomar që se bëj dot punën dhe e bën Luli. Mund ta imagjinoj njeri këtë punë me marrë një gomar që fle gjumë në këmbë e t’i thuash merr drutë atje. Nuk vijnë drutë kurrë, humb edhe gomari”, – theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “është e thjeshtë. S’më do mua? S’ka problem s’kam dalë për të gjetur nuse. E kam gjetur gjysmë krutane, gjysmë tironse jam në rregull. S’më do mua, bjeri telekomandës fshije fytyrën time ik shko shih sport aty bëj tifozllik. Po punën kush do e bëjë, Krujën kush do e bëjë që fëmijët e tu o demokrat, o kokë e madhe të rriten këtu e ta kenë të ardhmen këtu, të rriten në Shqipëri e ta kenë këtu të ardhmen e vet. Kush do ta bëjë. Kjo është pyetja”.
“Për interesin tënd duhet gomar që të bën punë, që ta merr stivën e druve nga aty ta çon andej jo që të lë rrugëve”, – tha Rama.
“Mos të llogarisim më këtë tjetrën që është një dardhë kjo e PD-së që e ka bishtin mbrapa, por që e ka një bisht mbrapa si gjarpër, që jo të ngec në fyt, por të rrotullohet në gurmaz që të mos marrësh frymë, se ka mbrapa Saliun e Ilirin e Monikën, është edhe Monika nyja e bishtit ku rrotullohet bishti dhe thonë voto PD-në. Por si të votosh PD-në, që të votosh Lulin e të marrësh paketë Ilirin bashkë me Monikën dhe me Saliun, po mirë se Saliun e duan këta e s’kemi ç’ti bëjmë, por të marrësh Ilirin e Monikën nga mbrapa. Po ku ka shans të bëhet punë. Unë e di se ç’kam hequr dhe i bëmë disa punë, por tani kanë ikur fare”, – theksoi Rama.
Kryeministri tha se “e morëm mandatin e parë hemorragji fare. Nuk kishte lekë, për të paguar rroga e pensione në fund të vitit sipas llogarive që bënte FMN. Mali me borxh si mali i Krujës. Ndalëm hemoragjinë dhe filluam gjithë ato reformat që nga dritat, tek uji, se duhen kujtuar disa gjëra. Është problem uji akoma dhe po zgjidhet. Është fushata e fundit kjo që do flitet për ujin”./k.s/j.p/



























