ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka marrë pjesë sot në takimin përcjellës të rekomandimeve të qeverisë organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme për luftën ndaj kriminalitetit 2021.
Në takim merrnin pjesë Prokurori i Përgjithshëm, Olsjan Çela, ministrja e Drejtësisë dhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja.
Në fjalën e saj, Gjonaj tha rekomandimet prioritare në luftë kundër kriminalitetit janë instrumenti kryesor i politikëbërjes së Këshillit të Ministrave, dhe Ministrit të Drejtësisë në nxitjen e luftës kundër kriminalitetit, në çdo formë që ai shfaqet, nga ana e prokurorisë.
“Përgjigjja ndaj kriminalitetit nuk mund të jepet e vetme nëpërmjet masave që merr Qeveria, por duhet të jetë me të njëjtën goditje dhe nga institucionet e tjera të drejtësisë sipas detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. Reforma në Drejtësi solli ndryshime të thella ligjore dhe institucionale që kanë prekur veçanërisht sistemin e drejtësisë penale, me qëllim krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm, të besueshëm, të drejtë, të përgjegjshëm, efektiv dhe profesional, që t’u përgjigjet pritshmërive të publikut dhe për të luftuar kriminalitetin”, u shpreh Gjonaj.
“Sot me sistemin e ri të drejtësisë, është ndryshuar rrënjësisht struktura institucionale në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht edhe organizimi i prokurorisë duke synuar si garantimin e pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorëve. Prokurorëve ju është dhënë fuqia për të qenë të pavarur, jashtë ndikimit të drejtuesit të prokurorisë apo Prokurorit të Përgjithshëm, pa qenë të ndikuar nga politika, nga krimi, për të mos qenë të cenuar në pavarësinë e tyre të brendshme. Pavarësia e prokurorit, është një instrument që rrit akoma më shumë detyrimin për llogaridhënie, në kuptim të ushtrimit të ndjekjes penale dhe luftës kundër kriminalitetit dhe përgjegjshmërisë në përmbushjen e pritshmërive të të gjithë shoqërisë shqiptare që besimi i tyre, si dhe investimi në reformën në Drejtësi, ishte zgjedhja e duhur për ta sjellë Shqipërinë më pranë Evropës dhe rritur besimin e qytetarëve në institucionet shqiptare”, tha ajo.
“Roli i çdo drejtuesi duhet të jetë në funksion, jo vetëm të përmbushjeve të detyrimeve ligjore, për organizimin e punës dhe marrjen e masave të nevojshme për mirëfunksionimin e prokurorisë, por të jetë ura lidhëse ndërmjet punës që kryhet nga çdo prokuror për luftë kundër kriminalitetit dhe rolit të Prokurorisë së Përgjithshme në raportimin dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë për sistemin e prokurorisë si pasojë e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për luftë kundër kriminalitetit”, vijoi Gjonaj.
“Fillimi i funksionimit dhe efektiviteti i Prokurorisë së Posaçme përbën një rol të padiskutueshëm në fushën e ndëshkimit të korrupsionit, të zyrtarëve të lartë dhe në gjyqësor, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar, parandalimin e korrupsionit në strukturat shtetërore dhe për rikthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Po ashtu, tashmë ka filluar edhe funksionimin Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të jetë një instrument i çmuar në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga Prokuroria e Posaçme”, theksoi ministrja.
“Miratuam së fundmi një paketë prej 10 ligjesh, duke ndryshuar jo vetëm ligjet procedurale, por edhe ligjin për luftë kundër krimit të organizuar me qëllim që të garantonim kushte më të mira, për prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, ashtu edhe për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimeve. Tashmë, Këshilli i Ministrave si dhe Kuvendi ka garantuar kushtet më të mira, krahasuar me çdo zyrtar tjetër publik, për prokurorët, gjyqtarët, hetuesit si dhe stafin e gjykatave dhe Prokurorisë së Posaçme”, vijoi ajo.
“Me një rëndësi të veçantë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, duhet vendosur në hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar për shkak të vetingut, qoftë me dorëheqje, apo me vendime shkarkimi. Të mos harrojmë që pritshmëritë e publikut janë që çdo gjyqtar ose prokuror që ka abuzuar me detyrën dhe është pasuruar duke e shpërdoruar atë, në kurriz të fatkeqësive dhe halleve të qytetarëve shqiptarë, të vetmin fat që duhet të ketë, është dënimi penal dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme, dhe jo vetëm shkarkimin nga detyra”, theksoi Gjonaj.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja në fushën penale, është gjithashtu i rëndësishëm dhe kërkon fillimisht koordinimin ndërinstitucional midis prokurorisë dhe institucioneve ligjzbatuese apo institucioneve të tjera që marrin pjesë aktive në këtë proces me qëllim finalizimin me sukses dhe sa më shpejt të bashkëpunimit me autoritetet e huaja. Presim që shumë shpejt Kuvendi të miratojë ndryshimet e ligjit për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, që krijojnë kuadrin e duhur ligjor për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore. Unë besoj fort që shkëmbimi i informacionit dhe i përvojës, me partnerët tanë evropianë dhe mbështetja logjistike dhe financiare për organizimin e operacioneve të përbashkëta, do të ndihmojë shumë në luftën kundër krimit të organizuar si dhe luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në hetimet pasurore për pasuri që mund të ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, tha Gjonaj.
“Për Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Drejtësisë, lufta kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj, por veçanërisht e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një nga përparësitë absolute. Rrjedhimisht, është detyrë e çdo prokurori, qoftë i Prokurorisë së Posaçme ose i prokurorive me juridiksion të përgjithshëm për të luftuar çdo fenomen kriminal që shfaqet në shoqërinë shqiptare”, theksoi ajo.
“Besimi i qytetarëve në strukturat e shtetit, është i varur më së pari në efektivitetin e prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit; sa më e suksesshme kjo luftë, sa më shumë autorë të veprave penale që do të vendosen pas hekura, aq më i fortë do të jetë besimi i qytetarëve në forcën parandaluese dhe ndëshkuese të shtetit.
Është detyra e secilit prej jush, të merrni çdo masë të nevojshme, që të garantoni përmbushjen e këtyre rekomandimeve, prioritet i yni, pritshmëri e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, përfundoi Gjonaj.
/j.p/


























