Kosova ka ngritur padi ndaj komunës së Budvës në Malin e Zi, duke kërkuar kthimin e 4500 metrave katrorë tokë, në zonën që tashmë njihet si shëtitorja “Rafailovic”.
Ministria e Drejtësisë së Kosovës pretendon se shteti Kosovar e ka blerë atë parcel toke 60 vite më parë dhe e ka dorëzuar dokumentin në Gjykatën Themelore të Kotorrit, por pala malazeze e ka kundërshtuar padinë, duke kërkuar që të mos pranohet.
Sipas pretendimeve të Kosovës, Këshilli për Politika dhe Çështje Sociale, pranë Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës(KSAK) në 22 mars të vitit 1961, e kishte blerë këtë tokë me sipërfaqe 4 mijë e 555 metra katrorë.
Sipas mediave malazeze, Kosova i është referuar Rregullores së UNMIK-ut për Fuqitë e Administratës së Përkohshme në Kosovë dhe Rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por komuna e Budvës thotë se ky pretendim nuk mund të qëndrojë.
Gjykata Themelore e Kotorrit e ka hedhur poshtë padinë e Kosovës, por padia është çuar në Gjykatën e Apelit. Përveç tokës në Budva, Kosova pretendon të marrë edhe 172 prona të tjera në republikat e ish-Jugosllavisë, ku 42 prej të cilave janë në Malin e Zi.
Gjithashtu Kosova pretendon edhe 33 mijë metra katrorë gjirin e Kamenovos, që gjatë kohës së ish-Jugosllavisë është shfrytëzuar si vendpushim për punëtorët nga Kosova.


























