Eksportet e shalqirit drejt tregjeve ndërkombëtare po shënojnë rekorde të reja, teksa edhe çmimi i ofruar për fermerin duket i leverdisshëm.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe bëri të ditur sot se nga Çerma e Sipërme, në Lushnjë janë eksportuar sot 110 kuintalë shalqi dhe çmimi i marrë nga fermerët shkon 20-22 lekë për kg/
“110 kuintalë plus eksportuar nga Çerma e Sipërme. Çmimi sot 20-22 lekë/kg. Kjo puna e bujqësisë nuk është veç punë krahu, por edhe punë agronomi, toke, fidani i përshtatshëm, plehërimi me cilësinë e sasinë e duhur, temperaturë e kohë të domosdoshme për të marrë frut të shëndetshëm, cilësor e flak të kuq”, shprehet ai.
Braçe po ashtu ripërsëriti apelin për eksportuesit për të mos abuzuar me çmimin që kërkojnë të marrin prodhimin nga fermeri.
“Kam monitoruar çmimet në eksporte të 50 eksportuesve të mëdhenj, përmes faturave në dogana nga e hëna. Kërkesa është e qëndrueshme dhe nuk ka asnjë arsye që çmimet të bien, përkundrazi çmimi 20-22 lekë/kg është tërësisht legjitim. Do vijoj të monitoroj çdo ditë çmimet deri në maunën e fundit”, theksoi ai.


























