Në Aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2021 qeveria ka alokuar një fond shtesë prej 2 miliardë lekësh për programet e zhvillimit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj shprehet se “mbështetja buxhetore përmes Aktit Normativ është për vijimin e veprave të rëndësishme infrastrukturore, zhvillimit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë”.
“2 miliardë lekë për projektet me financim të huaj në vazhdimin e programit IPARD ll dhe ndërtimin e bypass-it të Vlorës”, tha Denaj.
Programi IPARD II adreson mbështetje financiare me grante për fermerët ne zhvillimin e bujqësisë. Ndërkohë që me mbështetjen e qeverisë dhe të donatorëve pritet të përfundojë bypass i Vlorës, një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore në vendin tonë me impakt në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.


























