ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “nderimi i çdo faqeje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i vetë datës së Çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.

Balla mori pjesë në ceremoninë e 77-vjetorit të Çlirimit të Librazhdit, ku deklaroi se “Elbasani ka kontributin e vet në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë”.

“Lufta partizane ishte e kristaltë, ka qenë luftë idealesh të pastra dhe është krenari për të gjithë Shqipërinë. Në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist”, tha ai.

Nuk duhet harruar, vijoi Balla, se “Shqipëria jonë e vogël pagoi një çmim të jashtëzakonshëm gjaku dhe sakrificash të panumërta njerëzore”.

“Nderimi i këtyre sakrificave është nderi i çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari”, shtoi ai.

Sipas Ballës, “ka patur gjithmonë përpjekje në këto 30 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve”.

“Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim as nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Clirimtare me atë që pasoi pas vitit 1945”, tha Balla.