Në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, Balla tha se, “Dole, për ne shqiptarët është një prej politikanëve, republikanë, amerikanë, jo vetëm më mbështetës, por natyrshëm një prej atyre mbështetësve të Pavarësisë së Kosovës në mënyrë të veçantë. Por që janë investuar personalisht përgjatë gjithë procesit të pavarësimit të Kosovës”.
“Ne shqiptarët do ta kujtojmë Dole, si njeriun që u angazhua shumë më herët se të tjerët në politikën amerikane në mbështetje të Kosovës dhe luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të shtetit të ri të Kosovës”, tha Balla.
“Lidhjet e senatorit Bob Dole me shqiptarët filluan që fund të viteve 80-të, kur Kosova ishte nën shtypjen dhe mizorinë e regjimit famëkeq të Sllobodan Millosheviçit dhe natyrshëm ishte një ndër politikanët e parë, ndoshta i pari, që vizitoi Kosovën në fillim të viteve 1990, pikërisht në vitin 1990”, u shpreh Balla.
“Doja të kujtoja sot një mesazh që Dole ia drejtoi asokohe Senatit. Dole në vitin 1990 ishte kryetar i shumicës në Senat, ku kërkonte dhe thoshte “ne besojmë fuqimisht tek demokracia, ne besojmë tek liritë individuale dhe jemi kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë”. Më pas në shtator të vitit 1998, përsëri pas kthimit nga një vizitë në Kosovë, Bob Dole do t’i bënte thirrje administratës së presidentit Clinton. Kujtojmë që Clinton ishte zgjedhur president në një përballje direkt me Dolen në vitin 1996, ku thoshte, “nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është e ndërlikuar, në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë kush është përgjegjës, Sllobodan Millosheviç”, u shpreh Balla.
“Të gjithë e dimë se çfarë pasoi pas vitit 1998 dhe të gjithë e dimë rolin e Bob Dole në njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga SHBA, dhe më pas nga shumica e vendeve progresiste kudo në botë. Sigurisht kjo mbështetje e pakursyer e republikanëve ka vazhduar, natyrshëm edhe nga pjesa tjetër e Senatit, nga demokratët”, tha Balla.
Duke folur për projektligjin “Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë”, Balla falënderoi ministren e Kulturës, Elva Margariti që ka sjellë këtë marrëveshje.
“Jo vetëm që do ta mbështesim, por do të mirëprisnim gjithmonë marrëveshje të tilla edhe me shumë vende të tjera, me të cilat ne jo vetëm duhet të shkëmbejmë informacion, por natyrshëm të përpiqemi të ri sjellim në Shqipëri objekte të një rëndësie të veçantë arkeologjike, të cilat janë grabitur ndër vite, e që janë pjesë e thesarit dhe pjesë e trashëgimisë së shqiptarëve dhe që duhen rikthyer në Shqipëri”, tha Balla.
Balla shtoi se, “dua që ta nxis Kuvendin e Shqipërisë, sikurse kam bërë këto dy ditët e shkuara në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje partneriteti me Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan. Dhoma e Përfaqësuesve ka një instrument që ka të bëjë me partneritetin për demokraci. Ndër vendet e rajonit aktualisht është Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Por mendoj që ky instrument, do të ishte instrumenti i duhur për një bashkëpunim më të ngushtë, mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan. Jemi dy vende me një partneritet të theksuar strategjik dhe të veçantë. Por ky nivel i mirë partneriteti dhe marrëdhëniesh tepër të mira në nivel diplomatik dhe politik mes dy vendeve duhet të bashkëshoqërohet edhe me një komunikim të vijueshëm mes dy parlamenteve, Kongresit dhe në mënyrë të veçantë Dhoma e Përfaqësuesve dhe Kuvendit të Shqipërisë”.
“Mendoj që është momenti i duhur për ta shtrirë këtë nivel bashkëpunimi edhe mes legjislaturës shqiptare dhe asaj amerikane. Mendoj që është diçka që natyrshëm merr edhe mbështetjen e kolegëve të opozitës. Sepse e vërteta është që kur bie fjala për marrëdhëniet e veçanta me SHBA, dhe jo vetëm, sepse në shumë çështje të politikës së jashtme, ne nuk kemi dallime mes njëri-tjetrit. Mendoj që është koha e duhur ta zhvillojmë këtë nivel partneriteti sipas një kuadri që Kongresi amerikan e ka tashmë. Partneriteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Demokraci, ishte në fakt dhe instrumenti përmes të cilit u organizua edhe pjesa pararendëse e Samitit për Demokraci, e iniciuar nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve znj. Pelosi”, theksoi Balla.
“Meqenëse jemi në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe meqenëse po flasim për një marrëveshje me SHBA, besoj se të gjithë e përshëndesim aktin e djeshëm të Departamentit të Thesarit për të vendosur nën sanksione të rrepta financiare ata që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Dhe dje janë shpallur një sërë keqbërësish do i quaja unë, sikurse është banda e Zvonko Veselinovic-it, i cili jo vetëm që trafikon në të dyja anët e kufirit mes Serbisë dhe Kosovës, por është dhe një faktor i destabilitetit në pjesën e veriut të Kosovës dhe natyrshëm që SHBA, në mënyrë të qartë godasin dhe vendosin në sanksione këdo që punon natën dhe ditën për destabilitetin e rajonit tonë”, tha Balla.



























