Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi BE-Shqipëri në fusha të ndryshme nga transporti, te telekomunikacioni.
Lajmin e bëri të ditur ministrja Balluku ku theksoi se në takim gjithashtu u diskutua dhe bashkëpunimi në dy nivele, atë politik dhe atë teknik.
“Një takim shumë i frytshëm me Ambasadorin Luigi Soreca dhe përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Tiranë, ku diskutuam mbi ecurinë e projekteve të përbashkëta dhe mbi mënyrat e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në dy nivele, atë politik dhe atë teknik. Falënderoj Ambasadorin Soreca për qasjen konstruktive dhe gatishmërinë për ti dhënë jehonë prioriteteve dhe kërkesave tona në nivelet vendimmarrëse të Komunitetin Evropian”, tha Balluku.
“Përfitova nga rasti të ritheksoj mirënjohjen e Qeverisë Shqiptare për të gjithë mbështetjen e veçanërisht kontributin e konsiderueshëm të BE në Shqipëri dhe vetë ambasadorit Soreca”, u shpreh Balluku.
“Takim i mirë me ministren Belinda Balluku për bashkëpunimin BE-Shqipëri në fusha kyçe të transportit (hekurudhor, detar, rrugor, ajror), energji dhe telekomunikacion”, shprehet Soreca.
“Shumë e rëndësishme që Shqipëria të shfrytëzojë mundësitë kyçe të ofruara nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve nga BE për të përgatitur tranzicionin e gjelbër dhe digjital të Shqipërisë”, tha ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

























