ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se, marrëveshjet e nënshkruara sot mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe të cilat nisin zbatimin nga janari 2022, heqin pengesat që vështirësojnë jetën e fermerëve, eksportuesve apo tregtarëve.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalë Forumit të Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal, i cili u zhvillua sot në Tiranë, në kuadër të samitit “Ballkani i haour”.

Kryeministri u shpreh se “bujqësia është jetike për ekonomitë tona dhe ne po bëjmë më të mirën në Shqipëri për të mbështetur jo vetëm rritjen e sektorit, por edhe sofistikimin e tij, duke futur teknologji të reja e kështu me radhë”.

Rama kujtoi se “në samitin e Beogradit 1 muaj më parë, i kërkuam BE-së të eksplorojë mënyra në të cilat mund të ndihmojë vendet tona për t’iu qasur në mënyrë graduale fondeve komunitare”.

Por, vijoi ai, “për t’u përgatitur për këtë hap, duhet të intensifikojmë investimet dhe përpjekjet për të modernizuar sektorin dhe t’u ofrojmë lehtësira fermerëve dhe prodhuesve në të gjitha fazat e ciklit bujqësor, deri në fund, që është eksportimi në tregje të tjera”.

“Ne besojmë fort se bashkëpunimi rajonal mund të ndihmojë thelbësisht në këtë fazë të fundit. Kjo është arsyeja pse ministrat e Ekonomisë dhe të Bujqësisë janë bashkuar në këtë bashkëbisedim me ne”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se marrëveshjet e nënshkruara sot janë të rëndësishme në këtë sektor, pasi jemi përballur për vite e vite me radhë me shqetësimin, kërkesat dhe fajësimet nga njerëzit e këtij sektori që tregtojnë midis vendeve tona”.

“Të gjitha këto marrëveshje do të ndryshojnë krejtësisht natyrën e ndërveprimit midis vendeve, pasi praktikisht ne me këto marrëveshje kemi hequr pengesat që ua kanë bërë jetën njerëzve të sektorit shumë të vështirë realisht, kur përpiqen të kalojnë kufjtë midis vendeve tona”, tha ai.

Rama tha se këto marrëveshje trajtojnë çështjet më thelbësore për fermerët, prodhuesit, eksportuesit, tregtarët e vendeve tona.

“Jam i sigurt që sot njerëzit apo kompanitë që shkojnë nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi për të eksportuar produktet e tyre, apo për të sjellë prodhime prej andej në vendin tonë, do të jenë të lumtur, sepse për ta tashmë rruga është tejet e hapur dhe është tërësisht një veprimtari pa kufij”, tha ai.

Kryeministri vlerësoi se “kjo është një arritje e jashtëzakonshme, nëse marrim parasysh që për kaq shumë vjet, edhe me Procesin e Berlinit dhe pas të gjitha diskutimeve e drafteve të tregut të përbashkët rajonal, kjo platformë shumë jetike për ta nuk u ndërtua”.

“Sot ne praktikisht e themelojmë atë me nënshkrimin tonë dhe që prej janarit të vitit të ardhshëm ata do të shohin përfitimet e këtij nënshkrimi”, tha Rama.

Sipas tij, “është posaçërisht inkurajuese nënshkrimi i dokumenteve që kanë efekt të drejtpërdrejt në jetët e njerëzve, dhe këto dokumente të nënshkruara sot, janë të tilla”.

“Jam shumë i gëzuar që sot kemi rektorë të shquar të Universiteteve të Bujqësisë së vendeve tona sepse ne të gjithë shpresojmë që ky takim i parë do të jetë vetëm nisja e një pune midis jush së bashku, duke kuptuar se tashmë është koha për të investuar shumë më tepër me transferimin e dijeve në novacionin e bujqësisë, në teknologji, dhe për të ndarë ekspertizën reale. Duke pasur përparësi të qeverisë sonë nxitjen e bashkëpunimit rajonal e europian midis universiteteve, me këndvështrimin për të bërë politika të bazuara në dije e në njohuri, ju kërkoj të gjithëve që prej këtej e tutje të çelni një shteg të përbashkët shkëmbimesh për të strukturuar bashkëpunimin, me synim arritjen e programeve të përbashkëta, shkëmbimin e studentëve dhe përfshirjen e sektorit të bujqësisë në këtë shteg”, tha Rama.