Qeveria shtyn deri më 30 qershor afatin për aplikimin e penaliteteve për një kategori biznesesh që nuk janë përfshirë ende në procesin e Fiskalizimit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë.
“Deri më 30 qershor 2022 nuk do të aplikohen penalitete që rrjedhin nga zbatimi i ligjit të Fiskalizimit sipas vendimit të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, për disa kategori tatimpaguesish”, tha Ibrahimaj.
Kategoritë që përjashtohen janë tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe që nuk janë të regjistruar për TVSH-në, të cilët kryejnë vetëm shitje me para në dorë kundrejt konsumatorëve finalë, persona të patatueshëm, si dhe tatimpaguesit që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike.
“Qëllimi ynë është dhënia e kohës së mjaftueshme për bizneset që të ngrenë, të përshtasin dhe të familjarizohen me lehtësi e sa më mirë me procesin e ri të fiskalizimit”, tha ministrja.
Ajo theksoi se qasja e qeverisë do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale.
Më 1 janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të reformës së Fiskalizimit, që konsistonte në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G); më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B); më 1 shtator nisi faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).
Procesi i Fiskalizimit, një reformë që administrata tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti, pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit dhe veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurt



























