ATSH – I. Vata/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me Prezencën e OSBE-së në Tiranë shënuan sot “Ditën Botërore të Zgjedhjeve” përmes një diskutimi online me të rinjtë për rolin e tyre në zgjedhje dhe në proceset demokratike, nga mjediset e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Me të rinjtë bashkëbiseduan Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe zëvendësambasadori britanik, Jason Ivory.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se si në vitin 2021 dhe vitin 2022, KQZ është angazhuar në një proces të përgatitjes së zgjedhjeve.

“Nuk e di se në një periudhë jozgjedhore do ta kishim shënuar ndryshe këtë ditë, por festimi i kësaj dite duke punuar besoj se është gjë e mirë. Mund të thuhen shumë fjalë për simbolikën e kësaj dite por ajo që them është se zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm, është dhe një proces politik dhe ligjor ndër më të rëndësishmit e një vendi. Natyrshëm lidhet me atë se kush qeveris atë vend dhe zgjedhjet qëndrojnë në themel të procesit të zgjedhjes së qeverisë, ndaj duke qenë se procesi zgjedhor është i rëndësishëm natyrshëm shkojmë të konkluzioni që ka qenë e merituar të ishte ditë e caktuar që u takon zgjedhjeve”, tha ai.

Po ashtu, Celibashi shtoi se “sot jemi këtu edhe për të nisur një tjetër rrugëtim për edukimin e zgjedhor të të rinjve, grave dhe pakicave kombëtare, të cilët duhet të përfaqësohen dhe të përfshihen gjithmonë e më shumë.

“Nga sot ne zyrtarizojmë një projekt edukimi në të gjithë Shqipërinë me ndihmën bujare të Ambasadës Britanike në Tiranë, dhe ndërmarrim një tur gjithëpërfshirës dëgjimi, konsultimi dhe bashkëpunimi me të rinjtë, gratë dhe pakicat kombëtare”, tha Celibashi. /j.p/