ATSH/ Kryeministri Edi Rama u takua sot me ambasadoren e Shteteve të Bashkua të Amerikës në Tiranë Yuri Kim, përpara vizitës së kryeministrit në Uashington DC.

Ambasada e SHBA në Shqipëri njoftoi sot se, ambasadorja Kim përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkë-penëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës.

Ambasadorja Kim nënvizoi se, “lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin”.

“Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë”, njofton ambasada e SHBA-së.