Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri dhe ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, bashkë me drejtuesin politik të Qarkut Durrës, Adrian Çela, zhvilluan pasditen sot një takim me banorët e qytetit të Durrësit, ku prezantuan kandidaten e PS-së për Kryetare të Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.

 

Duke marrë fjalën Gjiknuri tha se, “këto zgjedhje për Durrësin janë të veçanta, sepse Durrësi jeton në një moment të veçantë dhe ka shansin e artë për tu transformuar tërësisht falë disa ngjarjeve të mira politike që kanë ndodhur. Së pari Durrësi mori kryeministrin Edi Rama, deputet të saj dhe kjo është një mundësi e mirë”, teksa vuri në dukje se, “me këto projekte madhështore që do të zhvillohen në Durrës, ky qytet do të jetë porta hyrëse e turizmit dhe kulturës në Shqipërisë”.

 

“Durrësi do të ketë portin më të madh në Mesdhe, me atë projekt madhështor që pritet të zbatohet në Durrës dhe kjo nuk ndodh rastësish pasi duhet sinergjia e qeverisë dhe bashkisë, prandaj bashkia Durrës është vendimtare për ecjen përpara të atij projekti bashkë me qeverinë e Edi Ramës”, tha Gjiknuri.

 

“Kjo votë për Anën, është votë për zhvillimin e Durrësit, përmes projekteve të mëdha që do të zbatohen, ku veçanërisht projekti i ri i portit në Durrës do të çojë përpara zinxhirin e zhvillimit ekonomik të Durrësit”, u shpreh Gjiknuri.

 

Ai solli në vëmendje transformimin e Vlorës me mbështetjen e kryeministrit Rama, ku falë investimeve u rrit vlera e pronës, u shtuan bizneset dhe turizmi mori hop të madh dhe ky model progresi tha Gjiknuri “do të jetë akoma më i madh në Durrës që ka afër Tiranës dhe garanci për këtë është bashkia e drejtuar nga Ana dhe deputeti juaj Edi Rama”.

Gjiknuri tha se të gjithë e kanë ndjerë në këto dy vite, punën dhe përkushtimin e Anës, në kohën dhe situatën e vështirë që krijoi tërmeti i 26 nëntorit të 2019 në Durrësin.