Në një intervistë televizive, Salla tha se “bujqësia në një vit mund të themi që ka pasur problemet e saj, qoftë nga moti, apo problemet e zjarreve dhe gjithë situatave që kanë pasur nga fatkeqësitë natyrore. Megjithatë ne kemi pasur një rezultat shumë të mirë nga eksportet vendase në BE dhe në vendet e tjera”.

Sipas tij, tregu vendas po zë një rol shumë të rëndësishëm.

“Eksportet kanë rëndësi për cilësinë, ne konkurrojmë me cilësi, kemi pasur një përmirësim të standardeve dhe të cilësisë. Ne kemi konkurruar deri tani me cilësi. Ne jemi duke u rritur në seria, fruta-perime, por edhe në bimët medicinale që zënë një rol të madh. Serrat janë duke u rritur çdo vit”, theksoi Salla.

Ministri Salla u shpreh se “fermerët kërkojnë sipërfaqe për të ndërtuar serrat. Duke qenë se sipërfaqja e tokës në Shqipëri është e vogël duhet të gjejmë një mekanizëm, që fermerët të kenë mundësi të punojnë dhe ne t’i ndihmojmë me mënyrat tona”.

Salla u ndal edhe tek nisja e shpërndarjes së pagesave për fermerët përfitues nga Skema Kombëtare e AZHBR-së, e cila financohet 100% nga buxheti i shtetit

“Tani është faza që ne kemi filluar me pagesat e tyre, ku duhet të vazhdojë hap pas hapi me pagat e tyre. Programi i AZHBR-së është një program i mbështetur 100% në buxhetin e shtetit dhe janë paratë e tyre. Është një moment që mund të them, që qeveria ka ndërmarrë edhe një hap tjetër, ku programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde” është një program duke ecur dhe duke ndihmuar fermerët”, tha Salla.

/k.s/r.e/a.f-