ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli priti në një vizitë të veçantë të dërguarin special të SHBA-së për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ku në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar përmes sportit.

Sipas KOKSH, vizita përbën një mundësi të re për forcimin e komunikimit dhe partneriteteve ndërkombëtare në fushën e sportit, në një kohë kur Shqipëria synon të rrisë rolin dhe prezencën e saj në projekte sportive me dimension ndërkombëtar.

Gjatë takimit, Zampolli shprehu vlerësimin për punën, zhvillimin dhe arritjet e KOKSH, si dhe për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e sportit në krijimin e marrëdhënieve të reja mes vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi dhe partneriteti me Shqipërinë, duke e konsideruar sportin një instrument të rëndësishëm të komunikimit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Ylli e cilësoi vizitën si një mundësi të re për komunikim përmes diplomacisë sportive, duke theksuar se sporti nuk lidhet vetëm me garën dhe rezultatet, por shërben edhe për ndërtimin e marrëdhënieve, afrimin e njerëzve dhe promovimin e Shqipërisë.

Një tjetër pikë e interesit të Zampollit ishte projekti “Tirana Olympic City”, me të cilin ai u njoh gjatë vizitës.

Sipas KOKSH, projekti u vlerësua si një mundësi për promovimin e sportit shqiptar, krijimin e hapësirave të reja për të rinjtë dhe forcimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë përmes sportit.

KOKSH vlerësoi se takimi dëshmon potencialin e sportit për të shërbyer përtej fushës së garës, si një platformë për diplomaci, bashkëpunim, investime, shkëmbim eksperiencash dhe promovim ndërkombëtar.