Sot Ukraina nuk po mbron vetëm veten, por edhe paqen, lirinë dhe sigurinë tonë. Italia është përkrah Ukrainës. Italia dëshiron që Ukraina të bashkohet me Bashkimin Evropian, tha kryeministri italian Mario Draghi gjatë fjalës së tij në parlamentin italian në prani të deputetëve dhe senatorëve, pak minuta pas ndërhyrjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy në video-lidhje, sipas “La Repubblica”.

“Ne duam të gjejmë një rrugë sa më të afërt për anëtarësimin e Ukrainës në BE, është një proces i gjatë i përbërë nga reformat e nevojshme. Italia është përkrah Ukrainës në këtë process”, theksoi Draghi.

“Në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, në Itali kemi ngrirë asete të oligarkëve rusë me vlerë mbi 800 milionë euro. Megjithatë, është thelbësore t’i përgjigjemi luftës me mikpritje”, tha ai.

“Kur mbizotëron tmerri dhe dhuna, pikërisht atëherë ne duhet të mbrojmë të drejtat njerëzore dhe qytetare, vlerat demokratike, dhe atyre që largohen nga lufta duhet t’u ofrojmë mikpritje. Përballë masakrave duhet të përgjigjemi me ndihma, qoftë edhe ushtarake për rezistencën”, shtoi Draghi.

Përsa i përket mikpritjes, kryeministri italian Draghi theksoi se ekzekutivi ka akorduar fonde të reja. “Ne duam të ndihmojmë refugjatët ukrainas që jo vetëm të kenë një shtëpi, por edhe të punojnë për t’u integruar”, shtoi ai.