Një konferencë donatorësh për të mbledhur para për miliona ukrainas që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre nga pushtimi rus do të mbahet në Varshavë më 9 prill, njoftoi sot Komisioni Evropian.
Konferenca synon të mbledhë fonde për ukrainasit që janë zhvendosur brenda vendit, si dhe për refugjatët ukrainas jashtë vendit. Takimi do të drejtohet personalisht nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe përmes një lidhjeje online nga kryeministri kanadez Justin Trudeau.
Konferenca vjen si rezultat i një fushate në median sociale nga Komisioni Evropian, qeveria kanadeze dhe OJQ-ja Global Citizen për të mbledhur para dhe donacione për ukrainasit e zhvendosur nga pushtimi rus. Persona të famshëm, duke përfshirë Madonna, Elton John dhe Miley Cyrus kanë dhënë tashmë mbështetjen e tyre.
Deri më sot, mbi 4 milionë ukrainas janë larguar nga vendi që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt, sipas OKB-së. Më shumë se 2.3 milionë refugjatë kanë mbërritur në Poloni. Përveç kësaj, rreth 6.5 milionë banorë janë zhvendosur brenda Ukrainës


























