ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është kundër zgjedhjes së presidentit nga populli.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me zgjedhjen e Presidentit në konferencën për shtyp për të prezantuar rezultatet e Këshillimit Kombëtar, Rama tha se “jam kundër personalisht që në një republikë si e jona presidenti të zgjidhet nga populli sepse nuk është në natyrën e Republikës tonë. Nëse do të zgjidhnim Presidentin nga populli duhet t’i jepnim Presidentit më shumë pushtet”.

“Të zgjidhet nga populli një president që s’ka pushtet, në kuptimin që është një figurë, se tani normal që të gjithëve u është ngatërruar pak fotografia e rolit të Presidentit se kemi pasur një fatkeqësi natyrore për disa vjet në atë godinë, por roli i Presidentit në këtë Republikën që kemi ne siç është në Itali apo Greqi,apo në republika me konstitucion të ngjashëm është i tillë që e bën të pakuptueshme pse duhet të zgjidhet nga populli. Nëse do i jepnin më shumë fuqi jo vetëm do ishte e mundur, por edhe gjëja e duhur për të bërë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “personalisht thashë jam kundër për të parën, por jam i hapur për të dytën që nëse duhen njerëzit mund të rishikohet mënyra si është i konstituuar e gjitha, por kjo kërkon shumë punë e konsultime dhe kjo shkon përtej vendimmarrjes së qeverisë. Ajo është vendimmarrje e madhe se është ndryshim kushtetute, kështu që ne nuk mund të bëjmë një Këshillim Kombëtar dhe të marrim përsipër dhe të garantojmë që kjo të ndodhë”.

“Po ne mund të bëjmë një Këshillim Kombëtar për të marrë një opinion të publikut dhe për të përfaqësuar publikun në një debat të tillë, pro që të garantojmë që e thatë ju dhe do të bëhet nuk e garantojmë dot se do 94 vota, që me gjithë kapjen e madhe të shtetit ne nuk i kemi”, tha Rama.

/k.s/j.p/