Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në Kuvend se në Butrint po sjellim menaxhimin përmes fondacioneve, një formulë e vjetër e provuar në shumë vende ndaj dhe po përfitojmë nga eksperiencat e vendeve të tjera.
Në replikë me deputeten e PD-së, Ina Zhupa, ministrja theksoi se në këtë rast është zgjedhur një sit në UNESCO, që të kemi një organizatë ndërkombëtare që të na rekomandojë dhe rekomandimet e tyre për ne janë të vlefshme.
Margariti kujtoi se UNESCO nuk jep miratime, por jep rekomandime dhe këshillime.
“Në këtë rast ishte kërkesa për të ditur se cili është organizata që menaxhon parkun e Butrintit. Nuk ka në asnjë moment asnjë devijim as nga prona shtet, as nga korniza ligjore që fondacioni Shqiptaro-Amerikan i përgjigjet shtetit. Fondacioni nuk ka tagrin dhe të drejtën të kryejë gërmime arkeologjike për shembull. Këto janë kërkesat e UNESCO-s, se kush do të vazhdojë ta menaxhojë dhe kush do t’i japë lejet dhe kush do respektojë ligjin”, tha ajo.
Në këtë rast, ministrja theksoi se ligjin e respekton shteti shqiptar, Ministria e Kulturës që është pjesë e këtij bordi dhe shteti është në krye të menaxhimit.
“Kam dëgjuar që është kërkuar të kthehemi mbrapa në kohë e të marrim modele të vitit 1993 apo të 2012. Kjo njëlloj si t’i thuash një studenti në universitet pse ti nuk merresh vetëm me abetaren. Ne i kemi kaluar ato faza, kanë kaluar mbi 10 vjet sot ne ndjekim vetëm rekomandimet e UNESCO-s për 2030 dhe kjo është arsyeja pse e ecim përpara”, tha ajo.
Ndërsa e cilësoi debatin e krijuar nga opozita për këtë çështje si debat politik shterpë, ministrja tha se “do të ketë fonde të reja për menaxhimin e Butrintit, por edhe fonde të akumuluara nga shteti gjatë këtyre viteve”.
“Nuk kemi thënë asnjëherë që e kemi keqmenaxhuar Butrintin, përkundrazi e kemi mirëadministruar sepse Butrinti ka qenë gjithmonë model mbi parqet dhe sitet e tjera. Ne po vazhdojmë të sjellim në Butrint një tjetër model. A do të jetë kjo një sfidë dhe pilotim, patjetër”, tha Margariti.



























