ATSH-Maela Marini/ Boksieri Florian Marku, fitues i gjerdanit të madh të kampionit të kategorisë sipërore WBC, u shpreh sot se i ka dedikuar jetën këtij sporti, por pavarësisht ofertave kurrë nuk e ka hedhur poshtë flamurin shqiptar.

“Mos u dorëzoni! Asnjë gjë nuk është fat në jetë, do shumë punë sakrifica. Asnjë njeri nuk është rastësisht aty ku është”… Ky ishte mesazhi drejtuar të rinjve i kampionit të boksit Florian Marku, i cili u nderua sot nga Kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar në Sallën e Hartave në kryeministri, Marku bëri një historik të shkurtër të karrierës së tij dhe sakrificave që e kanë shoqëruar përgjatë kësaj rruge drejt suksesit.

Marku tha se “pavarësisht peripecive dhe ofertave që i janë ofruar kurrë nuk e ka hedhur poshtë flamurin shqiptar”.

“Nuk jam mësuar me të tilla gjëra, ëndërr që është bërë realitet. Siç e keni parë karrierën time, kam qenë realist dhe ashtu do ngelem. Kam lindur në Lushnjë dhe 6 vjeç kemi ikur me familjen në Selanik. Nuk vij nga një familje shumë e pasur, prindërit kanë bërë punë krahu, nëna ime ka qenë pastruese. I kam thënë nënës: sa të kalojnë disa vite dhe nuk ke për të punuar kurrë sa të jetë djali gjallë’. Ajo tani nuk ka nevojë të punojë më. Ia kam dedikuar jetën këtij sporti. E kam nisur karrierën në Greqi u shpalla shumë herë kampion, por se kam hedhur kurrë poshtë flamurin shqiptar. Kam pasur shumë opsione në Greqi, në Austri po ashtu kam fituar katër herë titullin kampion bote në kick boks. Kam pasur 110 ndeshje me 3 humbje. Kisha karrierë të suksesshme. Më ftuan në Angli, më premtuan se do i kisha të gjitha gati me shtëpi, makinë, trajner dhe palestër. Por, kur arrita në Angli, çdo gjë ishte mashtrim. Por kudo ku jam ndeshur, shqiptarët i kanë mbushur plot ambientet”, tha ai.

Marku theksoi se me ndihmën e kryeministrit dhe kryetarit të bashkisë do të lançohen palestra të reja në të gjithë Shqipërinë me mbiemrin “Marku”, ku do të ketë palestra boksi dhe sporti nga veriu në jug.