ATSH/ 100 mijë vizitorë amerikanë kanë ardhur në Shqipëri në muajt janar-gusht, ose 28 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Shifrat i bëri publike sot Kryeministri Edi Rama i cili informoi përmes rrjeteve sociale se “527 turistë amerikanë kanë mbërritur këtë mëngjes në Portin e Durrësit me kroçierën “Nautica”, pjesë e turit të tyre në portet e Adriatikut e Jonit”.

Anija turistike po kryen një tur lundrimi në 9 porte të Adriatikut dhe Jonit, kryesisht në Itali, si dhe në tre porte të Greqisë, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Fluksi i prurjeve nga turistët e huaj në vendin tonë ka shënuar rritje duke regjistruar vitin më të mirë historik të turizmit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në Shqipëri në 6 muajt e parë të vitit arritën në 1.13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.