ATSH/ 25 misionarë të shquar të letrave shqipe përshkruan nga Elbasani një tur përkujtimor në trevat shqipfolëse të rajonit me rastin e 113-vjetorit të Kongresit të Elbasanit.
Turi “Mision i mundur, kujtesë për vazhdimësi”, u ndal edhe në Elbasan, ku bashkia e këtij qyteti nën kujdesin e kryebashkiakut Gledian Llatja mundësoi këtë tur, në kujtesë të “Kongresit të Shkollave Shqipe”, 2 -10 shtator 1909 mbajtur në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë, për të vijuar më pas drejt Strugës.
25 misionarët janë pritur edhe nga kryetari i bashkisë Llatja, i cili shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për misionarët, duke nderuar katër prej tyre me certifikatën “Mirënjohja e Qytetit”.
“Nuk është aktiviteti i parë që ne bëjmë bashkë, vlen të përmendim aktivitetin në Asti të Italisë ku është modeli më i mirë i ngritjes së një qendre kulturore, dhe ajo që ishte domethënëse, ishte se shqiptarët ishin bërë të gjithë bashkë. Si kryetar bashkie vazhdoj t’i jap prioritet traditës që kemi në qytet, kulturës, arsimit, sportit. Bashkia jonë e ka tre fish më të lartë buxhetin se Bashkitë e tjera që japim vetëm për kulturën”, tha kryebashkiaku.
Në nder të kësaj ngjarje që e ka zanafillën në djepin e dhaskalëve të artit, kulturës dhe arsimit, kryebashkiaku vlerësoi me certifikatë “Mirënjohja e Qytetit” katër misionarë, Flora Brovina, me profesion mjeke dhe poete, e njohur si gruaja e lirisë universale, një zë i fuqishëm që ngriti gratë në demonstrata, në mbarë globin; Muço Ziba nga Struga, mësuese, poete, shkrimtare, veprimtare e njohur në të gjitha hapësirat shqiptare;
Marie Lasgush Poradeci, vajza e poetit legjendë Lasgush Poradeci, studiuese shkencore dhe letrare të jetës dhe veprave të Lasgush Poradecit, si edhe Liliana Cingu, ikona e “Valles Shqiptare”, Nderi i Kombit, emër i përveçëm që i jep emër Shqipërisë në të gjitha shtetet e botës.
Misionaret në këtë tur kanë pasur shoqëruese nderi edhe “Nderin e Kombit”, ikonën e kinematografisë Margarita Xhepa.



























