ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se, para pak javësh është firmosur marrëveshja me Komisionerin për Mbrojtjen Civile, Janez Lenarcic.
Ndërsa sot shtoi ai, është ratifikuar marrëveshja.
Peleshi theksoi, rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë mekanizëm.
“Është një hap integrues i Shqipërisë në një nga strukturat kaq shumë të rëndësishme për Mbrojtjen Civile”, tha Peleshi.
Ministri u shpreh se, vendi ynë e ka përdorur edhe më përpara këtë mekanizëm, jo në cilësinë e anëtarit, por në cilësinë e një përfituesi të solidaritetit të vendeve të BE përmes këtij mekanizmi.
“Tani do të kemi mundësi që jo vetëm në raste emergjencash civile, fatkeqësi natyrore, të përfitojmë nga solidariteti, nga kontributi i vendeve të tjera, të koordinuara nga mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile, por edhe stafet tona t’i mbajmë më pranë ndryshimeve dhe avancimit teknologjik”, u shpreh Peleshi.
“Pra, është një ngritje në një nivel tjetër të reagimit të sistemit tonë të emergjencave civile ndaj fatkeqësive natyrore”, tha Peleshi.
Peleshi shtoi se, “po ta bashkëngjisim edhe me vendimin e mbledhjes së kaluar të, miratimit të huas nga qeveria italiane prej 30 milionë euro për mbështetjen e të gjithë strukturave të nivelit vendor dhe qendror pjesë e sistemit të emergjencave civile kuptojmë që ky vit po mbyllet me lajme shumë të mira për mbrojtjen civile në vendin tonë”.
Ministri theksoi se, “Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit perëndimor, por veçanërisht Shqipëria klasifikohen si vende me risk të lartë, me risk shumë të lartë ndaj fatkeqësive natyrore, për fat të keq përgjatë gjithë vitit dhe në çdo stinë”.
“Gjatë verës ne përballemi me vatra të shumta zjarri, tani edhe për shkak të ngrohjes globale ato po shtohen gjithnjë e më tepër. Gjatë dimrit përballemi me përmbytje, me bllokim të aksesit në zona të larta etj”, u shpreh Peleshi.
“Një pajisje e mirë e të gjitha strukturave me mjete, me dije, me teknologji dhe me trajnim dhe natyrisht mbështetur dhe nga ky mekanizëm, patjetër që do të na bëjë të jemi më eficient dhe do të minimizojmë pasojat e fatkeqësive natyrore, të cilat nuk i shmangim dot plotësisht”, theksoi Peleshi.



























