Në Elbasan po vijojnë me ritme të shpejta punimet për rehabilitimin e plotë të rrugës në njësinë 6 në lagjen “5 Maji”, një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri dhe kryebashkiaku Gledian Llatja inspektuan sot punimet që po kryhen për pajisjen me kanalizime nëntokësore të kësaj zone.

Gjiknuri u shpreh se “këtu është vazhdim i punëve të mira të nisura nga bashkia e Elbasanit në të gjithë periferinë e qytetit”.

“Kjo është zonë informale që për shumë vite nuk ka parë investime. Tashmë kemi një rrugë tërësisht të asfaltuar dhe tani po vazhdojmë me urbanizimin e lagjes. Punë konkrete e bashkisë së Elbasanit. Kur të tjerët pushojnë, këtu vazhdohet puna me shumë intensitet”, tha Gjiknuri.

Ai siguroi se ky do të jetë ritimi i vazhdueshëm i bashkisë së Elbasanit për të adresuar nevojat e banorëve.

“Kjo është edhe mishërimi i asaj që karakterizon bashkinë këtu, por edhe për garën që na pret. Ne jemi këtu për të bërë punë, për të transformuar qytetin e vazhduar investimet, ca me fonde e bashkisë së Elbasanit, shumë të tjera me fondet e qeverisë shqiptare. Por motoja është ‘punë dhe vetëm punë’. Ndërkohë që të tjerët ofrojnë thjesht luftën e politikës së Tiranës. Por qytetarët e Elbasanit kërkojnë të jetojnë mirë dhe të qeverisen nga njerëzit e tyre që përditë mendojnë se si të punojnë më mirë për të transformuar gjithë lagjet e qytetit të Elbasanit. Gledi e ka demostruar që ka ditur ta bëjë mirë dhe jam i bindur se me mbështetjen e qeverisë shqiptare do të vazhdojë ta bëjë këtë punë akoma më mirë”, tha Gjiknuri.

Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “puna në këtë zonë po ecën me super ritme dhe i paraprin transformimit dhe urbanizimit total të atij blloku banimi”.

“Në lagjen “5 Maj” në Njësinë 6 po mbajmë një premtim për më shumë se 100 familje që kishin 50 vite të zhytyra në informalitet”, tha ai. /m.m/j.p/