Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Xhaçka u ndal te diskutimet me Greqinë mbi çështjen e delimitimit të kufirit detar.
“Jemi duke diskutuar në mënyrë shumë intensive me Greqinë se si do të punojmë bashkërisht për të tejkaluar e adresuar shumë probleme që kemi trashëguar nga e kaluara, Çështje të cilat janë në interes të dy vendeve dhe popujve tanë. Kemi mirëkuptim për të trajtuar dhe zgjidhur të gjithë gamën e çështjeve që janë ende të pazgjidhura me shtetin fqinj”, tha ministrja.
Xhaçka theksoi se “nuk bëhet fjalë vetëm për delimitimin e hapësirës detare, por edhe për çështjet të tjera të trashëguara si shfuqizimi i ligjit të luftës dhe teksteve juridike që rrjedhin prej tij sa i takon të drejtave të pronësisë, por edhe çështje të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut këtej dhe andej kufirit”.
“Janë edhe çështje të tjera të hapura të karakterit kufitar. Kemi përfunduar dhe tani janë për t’u ratifikuar dy marrëveshje të rëndësishme për riparimin dhe mirëmbajtjen e piramidave kufitare dhe për incidentet kufitare. Në kuadër të të gjithë këtyre diskutimeve është edhe çështja e kufizimit të zonave detare, si një çështje me interes të ndërsjellë për të dyja vendet tona”, tha Xhaçka.
Ministrja informoi se të dyja palët kanë vullnetin dhe kanë rënë dakord për të gjetur një kompromis për ta referuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Sigurisht që në një moment do të duhet të kërkojmë plotfuqinë e Presidentit dhe autorizimin e tij për t’u ulur në një tryezë teknike dhe për të diskutuar kompromisin që do t’i hapi rrugë referimit të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë moment që flasim jemi në fazën e punës teknike me një grup të gjerë ndërinstitucional për të përgatitur këtë negociatë. Këto diskutime pastaj do të bëjnë të mundur arritjen e këtij kompromisi”, shtoi Xhaçka.
Patjetër, vijoi ajo, “që produkt i këtij diskutimi janë edhe çështje të tjera si fillimi i diskutimeve teknike për një marrëveshje të mbrojtjes sociale dhe pensioneve nga të cilat do të përfitonin qindra mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.
“Pra nuk është vetëm çështja e kufizimit të hapësirës detare, por është një paketë çështjesh që do të gjejë zgjidhje falë këtij bashkëpunimi konstruktiv që kemi pasur me Greqinë gjatë vitit që kaloi, por do ta kemi edhe gjatë këtij viti”. /j.p/


























