Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të jetë më pak i angazhuar në atë që e cilësoi si, “politikën e llafeve të përditshme”.

I pyetur në një intervistë televizive se, pse nuk shkon në parlamet.

Rama u shpreh se, “unë e kam thënë më parë se të fillonte kjo zallamahi që kur filloi viti që kemi hyrë që do të jem shumë më i përqendruar tek punët e përditshme dhe shumë më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme. Ndërkohë dua të them që jam angazhuar me zell të madh dhe me zjarr të madh për vite të tëra edhe në atë parlament, por besoj që pa dashjen time jam bërë edhe unë pjesë e diçkaje që është një hall i madh dhe një shqetësim i madh për gjithë publikun. Ndihem edhe bashkëfajtor në këtë gjë. Bashkëfajtor në gjithë atë skenë, e cila është larg së qeni e denjë për ata që na japin ne besimin. Dhe për këtë arsye unë nuk kam më disponim që të hyj dhe të dal në politikën e përditshme si në një fushatë elektorale. Në fushatë elektorale nuk e zgjedh kë ke përballë dhe do ta bësh atë luftën tënde”, tha Rama.

“Ndërkohë që në ditët e tjera të jetës dhe të javës dhe të muajit, angazhimi im do të jetë krejt i ndryshëm për të shlyer sadopak atë njollë bashkëfajësie për gjithë atë degradim dhe degjenerim që nuk e meritojnë shqiptarët”, theksoi Rama.

Rama shtoi se, “unë nuk vendos se si do të sillet opozita, por vendos se si duhet të sillem vetë”.

Më tej, Rama shtoi se, “unë do shkoj në parlament kur e shoh unë të arsyeshme. Kur e shoh unë të arsyeshme do shkoj në parlament”.

I pyetur nëse nuk do shkojë gjatë gjithë vitit në parlament nëse nuk e sheh të arsyeshme, Rama u shpreh se, “unë nuk flas me nëqoftëse unë fakt me faktin e thjeshtë dhe më vjen turp, më vjen realisht turp që nuk kam mundur të ndikoj në ndryshimin e kësaj situate në parlament dhe s’është sot po ka vite dhe përkundrazi jam bërë dhe unë pjesë jo një herë, sepse është ajo shprehja që kush “flen me qenin gdhihet me pleshta” dhe është e pamundur ti shmangesh mbase. Kështuqë për të shlyer sadopak nga ky turp, unë do të jem shumë i rezervuar, jo në raport me parlamentin, por në raport me politikën e përditshme”.