ATSH/ IdentiTek reagoi sot lidhur me lajmet e publikuara së fundmi për pretendimet mbi gabime në printimin e pasaportave shqiptare, duke sqaruar se ndryshimi i shënimit nga “P” në “PP” nuk përbën gabim, por është një përditësim teknik në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Sipas IdentiTek ndryshimi është bërë në zbatim të kërkesave të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), të miratuara në mars 2024.
Në vijim të një lajmi të publikuar së fundmi, në të cilin pretendohet se pasaportat shqiptare përmbajnë gabime në printim, IdentiTek sqaron se ndryshimet e konstatuara në formatin e përditësuar të pasaportave nuk përbëjnë gabime, por janë rezultat i zbatimit të standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO).
“Në përputhje me ndryshimet e miratuara nga ICAO në mars 2024, në kuadër të Aneksit 9 dhe specifikimeve teknike të Dokumentit ICAO Doc 9303, është parashikuar unifikimi i disa elementeve identifikuese të dokumenteve të udhëtimit të lexueshme nga makinat (MRTD), me afat zbatimi deri më 1 janar 2026”, sqaroi IdentiTek.
IdentiTek, sqaroi më tej se “një nga këto ndryshime lidhet me kodin identifikues të llojit të dokumentit në Zonën e Lexueshme nga Makina (MRZ). Konkretisht, për pasaportat e zakonshme, kodi i mëparshëm P është zëvendësuar me PP, ndërsa për pasaportat e shërbimit kodi PS është zëvendësuar me PO. Shkronja e parë P identifikon pasaportën, ndërsa shkronja e dytë përcakton kategorinë e dokumentit”.
IdentiTek bën me dije se përditësimi teknik në formatin e pasaportave shqiptare ka nisur që në dhjetor 2025, përpara afatit të përcaktuar nga ICAO.
“Që nga ky moment, janë prodhuar mbi 300,000 pasaporta me shënimet e reja, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, njoftoi IdentiTek.
Sipas IdentiTek “Shqipëria është anëtare e ICAO-s, organizatës së specializuar të Kombeve të Bashkuara që përcakton standardet ndërkombëtare për sigurinë dhe lehtësimin e aviacionit civil, përfshirë edhe standardet teknike për dokumentet e udhëtimit dhe pasaportat biometrike.
“Gjithashtu, që prej marsit 2025, Shqipëria është pjesëmarrëse në ICAO Public Key Directory (PKD) – Drejtoria Publike e Çelësave të ICAO-s, një platformë ndërkombëtare e administruar nga ICAO, e cila mundëson shkëmbimin e certifikatave digjitale të sigurisë që përdoren për verifikimin e pasaportave biometrike dhe dokumenteve të tjera elektronike të udhëtimit”.
Në reagimin IdentiTek theksoi se “nëpërmjet këtij sistemi, autoritetet kufitare të vendeve pjesëmarrëse mund të verifikojnë në mënyrë elektronike autenticitetin dhe integritetin e të dhënave të ruajtura në çipin e pasaportës, duke garantuar se ato nuk janë ndryshuar apo manipuluar. Kjo rrit sigurinë dhe besueshmërinë e dokumenteve shqiptare të udhëtimit, lehtëson verifikimin e tyre në pikat kufitare ndërkombëtare dhe kontribuon në parandalimin e falsifikimit të dokumenteve”.
“Për sa më sipër, IdentiTek sh.a. thekson se shënimi PP në pasaportat shqiptare të lëshuara me formatin e përditësuar nuk përbën gabim në printim, por është një ndryshim teknik i detyrueshëm, i realizuar në përputhje me specifikimet ndërkombëtare të ICAO-s”, sqaroi IdentiTek.
/m.q/j.p/



























