Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj në Kuvend, solli në vëmendje ngjarjen tragjike të 21 Janarit, ndërsa u shpreh se e shkuara nuk ka vdekur dhe as nuk është harruar.
“Kush e solli në vëmendjen e publikut atë dëshmi i ka bërë një shërbim të madh publikut, drejtësisë dhe së ardhmes. Reagimi juaj skandaloz këtu flet shumë më tepër sesa çdo lloj komenti. Do t’jua rikujtoj transkriptin e regjistrimit pasi keni gjak në duar dhe të bëni çfarë të doni, por historia mbetet aty”, iu drejtua Kumbaro opozitës.
Ajo tha se “për të zezën e demokracisë dhe për faqen e zezë të drejtësisë e institucioneve shqiptare, ky urdhër që doni të bëni sikur e keni harruar por është aty, është realitet me zë”.
“Si mund të flisni ju për historinë me zyrtarë të FBI-së e kryeministrin shqiptar, ndërkohë që po përpiqeni ta mbani këtë histori me thonj nën tavolinë. Ju ka zënë hall i madh, doli një histori e u pamë për të bërë mocion debati. Si nuk e thatë një fjalë në këto 12 vite për ato që ndodhën dhe gazetarët e medias na e sollën në vëmendje për plagën e hapur të shoqërisë sonë shqiptare. Dogjët 26 viktima të pafajshme në Gërdec, në biznesin e familjes ish-kryeministrore, vendosët armën shtetërore drejt e mbi trupa, e më pas jo vetëm reflektim e ndëshkim nuk pati, por lëshuat stuhitë e baltës mbi ish-Prokuroren e Përgjithshme që vetë e zgjodhët, vetëm meqë tentoi që në bazë të ligjit të bënte detyrën”, tha Kumbaro.
Kumbaro theksoi se “kjo mazhorancë konceptoi reformën historike të drejtësisë që ka shumë për të bërë dhe kjo tregon sa i madh është hendeku mes jush dhe mes nesh”.
“Kur media risjell dëshmi të fshehura të asaj që ndodhi, qeshni në mënyrën më të paturpshme. E quajtët organin e akuzës për ngjarjen e 21 Janarit të paaftë e puçiste dhe sot guxoni e flisni duke kërkuar të bëhet drejtësi për një histori që gjykohet në SHBA”, tha Kumbaro.
Ajo tha se kjo mazhorancë është votuar 3 herë nga shqiptarët dhe historia ka treguar se partnerët tanë strategjikë dhe mbështetësit e kombit shqiptar e kanë thënë me zë e figurë se cilët janë armiqtë e SHBA-së dhe të demokracisë.
“Ne vazhdojmë në këtë sallë të përkthejmë së prapthi tekstin e procesit të ish-zyrtarit të FBI-së, proces i nisur në SHBA, që po gjykohet në SHBA dhe do të zbardhet nga SHBA. Po
përkthimin e urdhrave për vrasje nga ish-pushteti i foltores kush do ta bëjë? Drejtësia në reformim ka ende punë të madhe për të bërë. Drejtësia është më e mirë sesa ishte, por ende ka rrugë të gjatë për të bërë. Nuk do reshtim së kërkuari deri sa drejtësia të bëhet. Ndërkohë do të vijojmë punën për njerëzit. Axhenda e njerëzve është shumë më e rëndësishme për PS-në sesa qeshjet tuaja cinike”, iu drejtua Kumbaro deputetëve të opozitës në sallë.



























