Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se miratimi i shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për Policinë e Burgjeve” garanton një polici moderne në gjendje për t’i shërbyer nevojave të sistemit penitenciar.

Ndërsa ftoi deputetët të mbështesin me votë këto ndryshime, Manja parashtroi përfitimet që sigurohen për punonjësit e Policisë së Burgjeve.

“Reforma që ne bëmë në sistemin e burgjeve në vitin 2020 prekte jo vetëm sistemin në tërësi por edhe stafet civile të burgjeve. Paketa në atë kohë synonte një trajtim dinjitoz financiar edhe për punonjësit e burgjeve. Punonjësit e Policisë së Burgjeve sot marrin atë që iu takon sipas ligjit, pagë dhe fitime të tjera financiare njëlloj si kolegët e tyre në Policinë e Shtetit”, tha Manja.

Por sipas tij, me gjithë përpjekjet për t’i bëjë pozicionet e punës vende tërheqëse për kandidatët më të mirë për t’i shërbyer këtij sistemi, aktualisht janë 400 vakanca në 22 institucione të sistemit të burgjeve.

Manja theksoi se ka shumë shkaqe për vakancat por shumë janë krijuar edhe për shkak të disa kritereve shumë të forta që ligji ka vendosur në vitin 2020, ku kufiri i moshës për t’u rekrutuar në Policinë e Burgjeve është deri në 35 vjeç.

Ministri u shpreh se ndryshimet e heqin kriterin e moshës për të kandiduar në sistemin e burgjeve.

Po ashtu, sipas tij, përmes këtyre ndryshimeve u garantohet rikthimi në sistem gjithë
punonjësve të Policisë së Burgjeve që janë larguar vullnetarisht.

“Bëhet pranimi me përparësi i punonjësve me grada ekuivalente si ish-punonjës të policisë së Shtetit, FA, Gardës, apo ish-punonjës që kanë shërbyer në repartet e zjarrfikësve. Me ligjin e ri ne i krijojmë mundësi punonjësve të marrin gradën nënkomisar në rast se plotësojnë kriteret. Po ashtu garantohet e drejta për të përfituar kredi për strehim njëlloj si punonjësit e Policisë së Shtetit, ku një pjesë e mirë e kredisë do të mbulohet nga shteti”, shtoi Manja.

Kjo masë, sipas tij, “është domosdoshmëri për të rritur qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin në strukturat e Policisë së Burgjeve”.

Manja theksoi se duke marrë shkas nga vakancat e krijuara ka mbështetur edhe propozimin për eliminimin e gradës nëninspektor si grada më e ulët e rolit bazë në Policinë e Burgjeve. Me ndryshimin e ligjit, ministri theksoi se të gjithë ata që mbajnë gradën nëninspektor do të përfitojnë gradën inspektor.

Manja shprehu bindjen se me miratimin e këtyre ndryshimeve do t’i jepet një shtysë e re rekrutimit, duke siguruar trajtim financiar dinjitoz por edhe duke garantuar ecurinë në karrierë bazuar në meritë.

Po ashtu, Manja bëri të ditur se së shpejti Drejtoria e Burgjeve do të disponojë një
flotë të re me 30 furgonë, që do të marrë përsipër transportin e punonjësve të policisë nga shtëpia në punë dhe anasjelltas.