Sot është Dita Ndërkombëtare pa qese plastike, një mundësi për ndërgjegjësimin e publikut për mos përdorimin e çantave plastike duke pasur parasysh rrezikun dhe ndikimin e tyre në mjedis.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se kjo ditë është ndërgjegjësim për t’u thënë “Jo” ndotëseve të mëdha të planetit”.
“Prej një viti, Shqipëria ka ndaluar qeset plastike njëpërdorimshe, ndërsa Task Forca është çdo ditë në terren për të kontrolluar zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e kujtdo që vazhdon me avazin e vjetër”, tha Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Kontrollet po zhvillohen në kuadër të zbatimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe VKM-së “Për përcaktimin e masave të hollësishme dhe institucioneve përgjegjëse për ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e RSH të qeseve plastike mbajtëse”.
Referuar vendimit, çdo person që hedh në treg, prodhon, importon ose fut në territorin e Republikës së Shqipërisë qese plastike mbajtëse, si dhe qese plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo të oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë në vlerën 500,000 (pesëqind mijë) lekë dhe sekuestrimin e qeseve plastike të ndaluara.
Përdorimi i tepërt, pa kontroll, hedhja e qeseve vend e pa vend, si dhe mos dërgimi për riciklim paraqet probleme serioze për mjedisin ku jetojmë. Qeset plastike përdoren për një mesatare prej 12 minutash dhe pasi hidhen, kërkojnë 100-1000 vjet për t’u dekompozuar.
Në mbarë botën, vetëm 9% e tyre riciklohet, ndërsa 73% e mbeturinave të detit janë plastike.atsh


























