Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikoi sot raportin e MIE mbi situatën në vend, ndërsa theksoi se “të gjitha strukturat janë në terren për të vepruar në kohë ndaj çdo problematike që mund të shfaqet, si pasojë e reshjeve të shiut”.

 

Sipas raportit të MIE lidhur me situatën në vend referuar të dhënave nga terreni sa i përket furnizimit me energji elektrike aktualisht janë 18 fidera jashtë funksionit, ku momentalisht problem paraqitet zona e Kavajës.

 

Brigadat e Tensionit të Lartë kanë ndërhyrë në 15 linja 35 kV dhe nënstacione, duke rikthyer energjinë në zona ku u shfaqën problematika.

 

Linjat e Hidrovorëve dhe institucioneve të rëndësisë së veçantë janë në funksion të plotë, ndërsa në linjat e transmetimit të energjisë dhe nënstacionet e OST situata paraqitet e qetë dhe pa problematika.

 

Si pasojë e reshjeve ka pasur rritje të prurjeve në kaskadën e Drinit, ndërsa janë marrë masat për të mos pasur shkarkime. Situata në tre hidrocentralet paraqitet: Fierzë, niveli 266.43 m; prurjet 200 m3/s; Koman: niveli 172.55 m; prurjet 240 m3/s; Vau Dejës: Niveli 74.40 m; prurjet 30 m3/s.

 

Sa i takon akseve rrugore, aktualisht në të gjitha akset rrugore të vendit qarkullimi kryhet normalisht, pavarësisht reshjeve të shiut që po vijojnë.Sa i takon akseve rrugore, aktualisht në të gjitha akset rrugore të vendit qarkullimi kryhet normalisht, pavarësisht reshjeve të shiut që po vijojnë.

 

Në terren ndodhen të gjitha grupet e punës duke bërë pastrimin e akseve nga rënia e gurëve apo inerteve, për të garantuar vijimin pa problematika të lëvizjes.

 

Sa i përket furnizimit me ujë në rajonin e Fierit, përkatësisht në stacionin e Kutës është shfaqur problem me elektromotorët e pompave ku ekipi po punon intensivisht për riparimin e tij sa më parë.

 

Në rajonet e tjera situata e furnizimit me ujë, si dhe impiantet e përpunimit të ujërave të ndotura, janë në kushte optimale.

 

Sa i përket situatës në porte dhe aeroporte, në Portin e Durrësit situata paraqitet normale në të 3 terminalet. Nuk parashikohen vonesa për tragetet në nisje.

 

Në Portin e Vlorës situata paraqitet e qetë. Nuk ka kufizime dhe pezullim të anijeve të peshkimit dhe mjeteve të vogla lundruese, ndërkohë që anijet e transportit ndërkombëtar detar po vijojnë të operojnë normalisht.

 

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika.

 

/k.s/r.e/atsh