Një sasi e madhe e të dhënave që rrodhën nga një fushatë dezinformuese e Rusisë kanë vënë në pah se si Moska synonte t’i njolloste Ukrainën dhe qeveritë perëndimore që e mbështesin atë, derisa, njëkohësisht, u përpoq ta rriste përkrahjen për partitë politike të ekstremit të djathtë në Bashkimin Evropian.
Dokumentet – që u siguruan nga një konsorcium i mediave evropiane dhe u ndanë me ekipin hulumtues të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat – zbulojnë operacionet e brendshme të Agjencisë për Dizajn Social, një kompani me bazë në Moskë për të cilën Shtetet e Bashkuara thonë se e udhëhoqi fushatën propaganduese me urdhër të Kremlinit.
Fushata përfshinte një përzierje të shumëllojshme të memeve (shakave), videove të falsifikuara dhe dokumenteve qeveritare, si dhe një rrjet faqesh online të maskuara si portale të mirëfillta lajmesh nëpër Evropë, për të shpërndarë lajme të rrejshme me qëllim që ta minonin mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.
Të dhënat tregojnë se një meme që denigron presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cila u shpërnda në X nga pronari i këtij rrjeti social, miliarderi Elon Musk, dhe pastaj u rishpërnda 86.000 herë, ishte krijim i Agjencisë për Dizajn Social.
Të dhënat që rrodhën, disa prej të cilave u bënë publike këtë muaj si pjesë e një aktakuze amerikane, u siguruan së pari nga mediat gjermane si Sueddeutsche Zeitung, NDR dhe WDR, të cilat i ndanë ato me Skemat dhe me disa organizata të tjera mediatike. Ato u zbuluan nga një burim anonim, i cili tha për gazetarë se Agjencia për Dizajn Social ishte hakuar.
Agjencia për Dizajn Social drejtohet nga Ilya Gambashidze, i cili u godit me sanksione në mars nga Shtetet e Bashkuara së bashku me kompaninë dhe bashkëpunëtorët e tij, për shkak të operacionit të ndikimit të kompanisë, të quajtur Doppelganger.
Gambashidze nuk iu përgjigj kërkesave për koment para publikimit të këtij artikulli.
Autoritetet amerikane, të cilat kapën 32 domene interneti të lidhura me Doppelganger në fillim të këtij muaji, thanë se përpjekja u mbikëqyr nga Sergei Kiriyenko, një zyrtar i lartë i Kremlinit dhe i besuari i presidentit Vladimir Putin.
Në një video prezantim të përfshirë në dokumentet që rrodhën, Gambashidze i drejtohet kamerës i veshur me një kapele të zbukuruar me mbishkrimin “trupat ideologjike ruse” dhe “komandant i forcave speciale”.
Sipas videos së prezantuar, ekipi i Gambashidzes i kishte prodhuar 39.899 copëza përmbajtjeje mes janarit dhe prillit 2024, përfshirë më shumë se 30.000 postime, më shumë se 4.600 video dhe vidoe meme, dhe rreth 1.500 artikuj.
Në mesin e tyre edhe një shkrim i rrejshëm i sajuar për t’u dukur sikur është publikuar nga gazeta gjermane Bild, ku pretendohej se refugjatët ukrainas në Gjermania, në përpjekje për ta djegur një flamur rus, ia kishin vënë flakën një shtëpie të gjermanëve, e cila u ishte dhënë atyre për strehim.tch


























