Shefi ushtarak i Iranit tha se sulmi raketor i nisur të martën ishte i kufizuar në objektiva ushtarakë, por paralajmëroi për sulme më të gjera nëse Izraeli përgjigjet.
Gjeneral Major Mohammad Bagheri tha se Irani kishte shënjestruar infrastrukturën ushtarake, duke përfshirë agjencinë e inteligjencës Mossad, bazën ajrore Nevatim, bazën ajrore Hatzor, instalimet e radarëve dhe grupimet e tankeve izraelite, pavarësisht se kishte opsionin për të nisur një sulm shumë më të gjerë.
“Ne kishim aftësinë për të sulmuar infrastrukturën ekonomike të regjimit, por ne synuam vetëm bazat ushtarake,” tha ai të mërkurën.
Ai shtoi një paralajmërim për Izraelin dhe mbështetësit e tij.
“Nëse regjimi sionist nuk kontrollohet dhe ndërmerr veprime kundër Iranit, ne do të synojmë të gjithë infrastrukturën e tij”, tha ai.
Bagheri tha se sulmet kundër Izraelit ishin në hakmarrje për vrasjet e Ismail Haniyeh, Hassan Nasrallah dhe Abbas Nilforoushan.
Nasrallah, i cili udhëhoqi grupin militant libanez të mbështetur nga Irani, Hezbollah për më shumë se 30 vjet, u vra në një sulm ajror izraelit në selinë e tij nëntokësore në Bejrut të premten.
Nilforoushan, një komandant i lartë nga Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, u vra së bashku me të, sipas mediave shtetërore iraniane.tch


























