Infektimet nga HIV –AIDS këtë vit vijnë më një lajm fatkeqsisht të rëndë. Në mesin e 119 rasteve të reja që ISHP raporton deri në muajin nëntor, 4 janë fëmijë të vegjël të infeketuar në rrugë vertikale nga nëna tek fëmija. Në një intervistë për RTSH-në infeksionisti klinik Prof. Arjan Harxhi thotë se e gjithë kjo ka ardhur si pasojë e mos testimit të nënave shtatzëna.
“Janë 4 raste të transmetimeve vertikale . Janë 4 fëmijë të vegjël të cilët janë diagnostikuar pas lindjes sepse nënat e tyre nuk janë testuar dhe nuk janë skrinuar para apo gjatë shtatëzanisë që të arrihej të ndërhyhej me mjekime parandaluese”, tha Harxhi.
A është ky një alarm ?
“Pa dyshim që ky është një tregues që ne akoma kemi mangësi në lidhje me implementimin e atij që quhej strategjia e parandalimit të transmetimit me rrugë vertikale, që do të thotë: skrinimi dhe testimi i gruas shtatzënë nuk është i shtrirë në të gjithë territorin. Pra aksesi ndaj testimit të gruas shtatzënë mbetet problematik”, nënvizoi ai.
Leximi i shifrave na thotë gjithashtu edhe një tjetër të vërtetë: Epidemia e Hiv-Adis në Shqipëri është epidemi e meshkujve.
“Epidemia e Hiv-Aids në Shqipëri është epidemi e meshkujve. Në mesin e 119 rasteve te reja , 80 janë meshkuj, pra ¾ janë meshkuj. Deklarojnë se shumica e tyre janë infektuar në rrugë hetero-seksuale edhe pse ne mendojmë që rruga homoseksuale është e nënraportuar për shkak të stigmës dhe diskriminimit dhe mosdeklarimit të orientimit seksual. Pa dyshim që ka edhe rritje të numrit të të rinjve”, tha ai.
Krahasuar me vendet fqinje thotë Prof. Harxhi, Shqipëria ka incidencën më të lartë në rajon dhe kjo për shkak të rritjes shqetësuese të sjelljeve të rrezikshme në popullatë.
“Maqedonia këtë vit ka raportuar 53 raste, Kosova 29 raste , pra dukshëm ne jemi shumë më tepër. Shqipëria ka numrin më të lartë të rasteve për numër banorësh në rajon, tregues ky i një sjelljeje të rrezikshme në popullatë. Pa dyshim kjo që shohim sot në popullatë është një tregues I sjelljeve të rrezikshme të disa viteve më përpara sepse shumica e rasteve diagnostikohen në stadin e sëmundjes. Pra , janë infektuar vite më përpara. Sjelljet e rrezikshme mund të lidhen me forma të tilla si ç mund të jenë turizmi seksual, përdorimi i rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të ndryshme që lehtësojnë kontaktet me shumë partner apo të marrëdhënieve të rastësishme. Kjo duhet parë me studime”, tha Harxhi.
Harxhi thotë se duhet të shtohen testimet për të kapur në kohë diagnozën dhe për të ulur rreziqet e infektimeve por kjo sipas tij duhet bërë me fushata ndërgjegjësuese modern që t’i përshtaten tipologjisë së sjelljeve të shoqërisë.rtsh