Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të thirrjes së dytë të Challenge Fund, projekt i EU4Innovation, u shpallën 20 fituesit që sollën ide inovative dhe zgjidhje kreative për zhvillimin e bizneseve dhe nxitjen e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri.

 

20 startap-et u përzgjodhën mes 149 aplikantësh.

 

Secila prej këtyre iniciativave inovatore do të përfitojë grante që variojnë nga 10 000 deri në 30 000 Euro, duke i fuqizuar për të sjellë në jetë vizionin e tyre dhe për të nxitur zhvillimin në Shqipëri.

 

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se këto projekte, të cilat përfaqësojnë një kombinim të vizionit, përkushtimit dhe kreativitetit, do të mbështeten financiarisht për të kthyer idetë e tyre në realitet, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

 

Ceremonia u përshëndet nga Niklas Ström, ambasador i Mbretërisë së Suedisë në Shqipëri, Hubert Herr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimën e Biznesit dhe Sokol Duma, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

 

EU4Innovation vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për përkrahjen e sipërmarrësve që sfidojnë status quo-në dhe kontribuojnë në një të ardhme më të qëndrueshme. /j.p/atsh