Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve pas njoftimit për ngordhje shpendësh nga subjekti “Rea’s” ka vendosur në karantinë fermën e ndodhur në fshatin Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rrashbull, Bashkia Durrës.
Shërbimi veterinar ka marrë mostra zyrtare dhe i ka dërguar për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV.
Aktualisht strukturat rajonale, të Drejtorisë së Përgjithshme të AKVMB dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë duke kryer hetimin epidemiologjik, të rastit.
Subjekti ka rreth 227 708 krerë në total, të mbarështuara në katër kapanone në pularinë e Njësisë Administrative Rrashbull dhe një kapanon në Njësinë Shënavlash, nga të cilët janë raportuar dëmtime vetëm në njërin prej tyre.
Gjithashtu, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve lidhur me situatën njoftoi se është në fuqi urdhri për rritjen e masave të biosigurisë.
AKVM ka njoftuar 68 subjektet e mbarështimit të shpendëve për angazhimin e tyre në marrjen e masave për biosigurinë në stablimentet e tyre; ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës, ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për rritjen e vigjilencës dhe marrjen e masave.atsh