ATSH/ Menaxheri i Këshillimit për shtetet dhe ekonomitë në IFC, Javier Suarez, mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që mbështet zhvillimin e Parqeve Eko-Industriale në Shqipëri.

Ai e vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes, si një moment shumë të rëndësishëm për kapitullin e radhës që do të ketë Shqipëria në rrugën drejt integrimit në BE.

“Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot dhe që jemi të gjithë bashkë dhe për të shënuar këtë gur të rëndësishëm kilometrik për zhvillimin e qëndrueshëm industrial”, tha Suarez.

“Marrëveshja e nënshkruar sot është pasqyrimi i një angazhimi të përbashkët për bashkëpunim midis institucioneve tona por edhe për një vizion afatgjatë për të patur industri më të pastra me efikase dhe më konkurruese sipas standarde të BE-së”, u shpreh ai, teksa shprehu mbështetjen e IFC-së në zhvillimin e Parqeve Eko-Industriale në Shqipëri.

“Parket Eco-Industriale janë një nismë që do të kenë mbështetjen e IFC-së, dhe natyrisht edhe të BE-së, ku do të ndihmohen ekonomitë e Ballkanit Perendimor për të përmirësuar efikasitetin e burimeve për uljen e kostove operacionale, do të ndihmohen bizneset për të arritur standardet e BE-së me anë të politikave. Ne do të japim asistencën tonë me këtë partneritet strategjik”, deklaroi ai.

Suarez tha se, “Parqet Eko-Industriale janë shumë e më shumë se një përpjekje mjedisore, ato kanë të bëjnë me parimet e ekonomisë qarkulluese, përmirësimin e menaxhimit të burimeve gjithashtu ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës por dhe krijojnë zinxhirët e duhur të ofertës”.

“Ky është një moment strategjik dhe ne po mbështesim Shqipërinë për të krijuar të gjithë hapësirën e duhur për investimet e duhura të inovacionit. Ne në IFC jemi të angazhuar për të mbështetur dekarbonizimin industrial për të ndihmuar bizneset dhe për të rritur investimet në Shqipëri”, u shpreh ai.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) si dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, nënshkruan sot marrëveshjen që mbështet zhvillimin e Parqeve Eko-Industriale në Shqipëri.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi përfaqëson një hap kyç në zhvillimin e politikave dhe kuadrit rregullator të nevojshëm për të mundësuar transformimin e qëndrueshëm të zonave industriale në Shqipëri, në përputhje me standardet mjedisore të BE-së dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja dhe nga Javier Suarez, Menaxher, Këshillimi për Shtetet dhe Ekonomitë, Evropa, IFC.