Kjo skemë synon të mbështesë prodhuesit vendas dhe të nxisë formalizimin e tregut bujqësor.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau sot në rrjetet sociale historinë e Arjan Hoxhës, i cili, pas 14 vitesh në emigracion, është rikthyer në Shqipëri dhe merret me kultivimin e perimeve në serra.
Sipas ministrit, Hoxha e tregton prodhimin në tregun vendas dhe ka përfituar për herë të parë mbështetje financiare përmes kompensimit në masën 10% të faturave të shitjes.
“Një masë që, siç thotë vetë Arjani, i ka lehtësuar ndjeshëm kostot e prodhimit”, tha Salla.
Ministri Salla thekson se skema synon të jetë e thjeshtë dhe e aksesueshme për fermerët, duke nxitur formalizimin dhe duke e kthyer faturën e shitjes në një instrument për përfitimin e mbështetjes financiare.
Fermerët duhet të jenë të pajisur me NIPT dhe të kryejnë shitje vetëm ndaj subjekteve të regjistruara për TVSH, si grumbullues, përpunues apo struktura të agroturizmit.
Aplikimi për përfitimin e kësaj mbështetjeje bëhet çdo gjashtë muaj, ndërsa pagesa e kompensimit kryhet brenda 30 ditëve nga momenti i aplikimit.



























