Shumë fëmijë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës, qoftë në familje, shkolla apo në rrugë. Dhuna ndaj fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale, është një nga format më të këqija të abuzimit ndaj fëmijëve dhe paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre. Dhuna është gjithashtu një sulm moral dhe etik ndaj vlerave tona më të çmuara. UNICEF shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me rastet e fundit të dhunës së rëndë ndaj fëmijëve. Ndërsa vetë qytetarët e Elbasanit për Tv Skampa shprehen se asgjë nuk zgjidhet me dhunë, pasi dhuna gjeneron veçse dhunë.

Abuzimi dhe neglizhimi është i lidhur ngushtë me një sjellje jo të shëndetshme tek fëmijët dhe të rinjtë, si dhe ka ndërlikime psikologjike dhe psiko-sociale të drejtpërdrejta ose të mëvonshme. Veçanërisht për shkak të fenomenit të ‘ciklit të dhunës’, dhuna në familje ka tendencën të riprodhojë vetveten. Ndërprerja e këtij cikli ndihmon ndjeshëm dhe në mënyre efektive në zhdukjen e këtyre sjelljeve jo të shëndetshme tek fëmijët dhe të rriturit. Ndaj, ekspertët këshillojnë shpesh, madje ngrenë dhe zërin se dhuna nuk është zgjidhje për asgjë.