Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) shprehet se ka evidentuar një rritje të fushatave “phishing” dhe “smishing” që synojnë klientët e bankave në Shqipëri.
Në këto raste, aktorë keqdashës përdorin emrin, logon dhe identitetin vizual të institucioneve bankare për të dërguar SMS ose email që duken autentike. Përmes tyre, qytetarët nxiten të veprojnë menjëherë, duke klikuar në lidhje mashtruese ose duke ndarë të dhëna konfidenciale.
Mesazhet shpesh përmbajnë pretendime për: aktivitet të pazakontë në llogari; bllokim ose pezullim të shërbimit; nevojë urgjente për konfirmimin e të dhënave.
Qëllimi i tyre është përvetësimi i kredencialeve bankare dhe i të dhënave financiare.
Ndaj AKSK u rekomandon qytetarëve mos t’u besojnë mesazheve që kërkojnë veprim të menjëhershëm ose krijojnë ndjesinë e urgjencës.
“Mos ndani asnjëherë PIN-in, fjalëkalimin, kodin OTP apo të dhënat e kartës përmes SMS-ve, email-eve ose telefonatave. Verifikoni çdo komunikim vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës suaj. Kontrolloni me kujdes adresën e faqes (URL) përpara se të klikoni në një lidhje. Nëse dyshoni se keni dhënë të dhëna sensitive, kontaktoni menjëherë bankën dhe ndiqni udhëzimet e saj”, thuhet në njoftimin e AKSK-së.
ASKS thekson se siguria e të dhënave financiare fillon me kujdesin ndaj çdo komunikimi të dyshimtë. “Përpara se të klikoni ose të ndani informacion, ndaloni dhe verifikoni”, këshillon AKSK.
/m.m/a.f/



























