ATSH/ -Më 18 maj është 100 vjetori i lindjes së Karol Vojtillës, Papës Gjon Pali II. Këtë vit, në prill ishte edhe 15 vjetori i ndarjes nga jeta të Gjon Palit II.

Me rastin e jubileut të lindjes së Papës kaq të dashur për popullin polak, për të cilin Shqipëria dhe shqiptarët ishin shumë të afërt, Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë pati nderin të dhurojë dy skulptura të kokës së Shën Gjon Palit II, prodhuar nga mjeshtri Mumtas Dhrami. Njëra nga dy skulpturat i shkoi kishës Shën Gjon Pali II në Bathore- pikërisht atje ku  është përkushtuar kisha e parë në botë me emrin Shën Gjon Pali II vetëm disa ditë pas shenjtërimit të Papës dhe ku gjenden reliket e Shenjtit. Skulptura e dytë, falë dashamirësisë,  miqësisë dhe pozitivitetit të arqipeshkvit G. Frendo, gjeti vend në katedralen katolike të Tiranës, pikërisht pranë altarit të Shën Mërisë, kaq të dashur për popullin polak dhe Papën Gjon Pali II, i cili për motto të Pontifikatit të Tij zgjodhi fjalët: „Totus Tuus” (Maria).

Pak muaj nga vendimi për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe pak javë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb, vlen të kujtohet që Shenjti Gjon Pali II bënte thirrje pa u lodhur për europianizmin e gjithë kontinenti.

Gjatë Pontifikatit të tij Ai fliste për dy mushkëritë e Europës, që do t’i mundësonin kontinentit  të vjetër të frymëmerrte plotësisht. Në të gjallë të Shenjtit Gjon Pali II kjo mushkëri e dytë ishte në lindjen e kontinentit, ndërsa sot ajo është zhvendosur këtu, në Ballkanin Perëndimor.

Në këto dy ceremoni të thjeshta Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë shoqërohej nga Kryetarja e Komitetit të Kulteve, Loreta Aliko. Ambasadori Bachura me këtë rast ndër të tjera nënvizoi se, “në qendër të veprimtarisë së Shenjtit Gjon Pali II ka qenë përherë lufta për dinjitetin njerëzor në të gjitha aspektet e tij. Nga to, si nga trungu i rrënjëve kristiane të kontinentit hodhën shtat degë të reja: dialogu, liria dhe e vërteta, drejtësia dhe Dashuria”.

“Në kushtet e sotme demoniake të humbjes së vlerave, mbi të cilat lëshon hijen e saj të errët edhe frymëmarrja e kontaminuar me COVID-19, beteja për  dinjitet njerëzor dhe mbrojtjen e njerëzimit  është në çdo situatë e gjithëpranishme. Andaj dhe unë, si  polak, por edhe si Ambasador i Republikës së Polonisë në Tiranë, kam zgjedhur fjalët lajtmotiv të pelegrinazhit të Atit të Shenjtë në Poloni tri dekada më parë- „Mos e shuani shpirtin!”.  Në kohët e sotme apeloj për ta parë të ardhmen me shpresë, të mbahet shpirti ndezur, të rritet empatia, solidariteti dhe respektimi i dinjitetit të tjetrit. Një qasje e tillë do t’i mundësojë kujtdo të gjejë një mori arsyesh për të bërë mirë”, tha Bachura.

“Falënderoj njëkohësisht gjithë ata që qëndrojnë në frontin e luftës me virusin: mjekët, infermierët, gjithë personelin shëndetësor, policinë dhe u

shtrinë, por edhe gjithë ata që përpiqen të na sigurojnë fijet e “normalitetit” në këto kohë të jashtëzakonshme- punëtorët e shërbimeve publike, ujësjellës-kanalizimeve, furnizimit me energji, personelin e njësive tregtare, farmacive, bankave, por edhe administratën- të gjithëve u dërgoj  jë falënderim të madh. Falënderoj gazetarët për informimin me vërtetësi, falënderoj të gjithë ata që  investohen me shpirt në dialogun politik, fetar dhe ndërnjerëzor”, u shpreh Bachura.

“Në rrugën drejt së ardhmes nuk mund të stepemi nga vështirësi. Ato janë të domosdoshme. Në një farë mënyre kanë të bëjnë me vetë thelbin e transformimeve, sikundër duhet të ndodhin tek ne vetë, por edhe rrotull nesh. “Mos e shuani shpirtin!” do të thotë gjithashtu: të mos lejoni t‘ju skllavërojnë me rryma të ndryshme materializmi që zvogëlon fushëpamjen e vlerave- që edhe vetë njeriun si të tillë e zvogëlon. Të mos harrojmë që e vërteta është burimi i lirisë së vërtetë dhe i dinjitetit të njëmendtë njerëzor. Të mos kemi frikë, të mos trembemi. Ky mund i muajve të fundit i jetës në izolim, shqetësim dhe pasiguri do të ndihmojë të jetësohet e vërteta e thirrjes „Mos e shuani shpirtin! Mbajeni shpirtin ndezur!”, tha ai.

/gj.mima/ /a.g/