/ATSH/ Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, zhvilloi sot një takim me drejtues të shoqërive administruese të fondeve të investimit, pensioneve private vullnetare dhe përfaqësues të tregut të kapitaleve.
Sipas zyrës së shtypit të AMF-së, në takim u diskutua mbi ecurinë e këtyre tregjeve, efektet e pandemisë COVID-19 dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
Në fjalën e tij, Mete vuri në dukje se në përgjithësi situata e pandemisë është menaxhuar mirë nga tregu, edhe pse në anën tjetër ajo nxori në pah nevojën për plane solide të vazhdimësisë së biznesit.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me të gjithë aktorët për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë për hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë apo aktorëve të tjerë. Autoriteti është i gatshëm për ta avancuar këtë nismë, duke propozuar krijimin e një Komiteti për hartimin e strategjisë kombëtare”, u shpreh Mete.
Duke vlerësuar dixhitalizimin si një element thelbësor, si në funksion të mbikëqyrjes, ashtu edhe në kuadër të rritjes së efiçencës dhe reduktimit të burokracive, kreu i AMF-së kërkoi që ekspertiza e aktorëve të tregut në teknologjinë e informacionit të përdoret në funksion të zhvillimit dhe mire rregullimit të tregjeve.
Mete shprehu gatishmërinë për t’u përfshirë në një proces konsultues me aktorët e tregut në funksion të hartimit të akteve nënligjore për plotësimin e kuadrit ligjor për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjet e kapitalit. /a.gjonaj/ /a.g/