Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla mblodhi sot Këshillin Koordinativ të qarkut të Fierit, nga ku shprehu besimin për fitoren e forcës politike që ai drejton në zgjedhjet e 14 majit, ndërkohë që, sipas tij, opozita ka nisur të ndërtojë që tani alibinë e humbjes.
Sipas Ballës, grupi i këshilltarëve socialistë në secilin prej këshillave bashkiakë, jo vetëm do të jetë 50 % plus 1 për të garantuar vendimmarrjen e duhur në mbështetje të projekteve zhvilluese të kryetarit të bashkisë, por për të garantuar edhe përfaqësim të të gjithë profesioneve.
Nga Fieri, Balla kërkoi një angazhim serioz të forcave politike për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve.
“Zgjedhjet e 14 majit do të jenë zgjedhje të cilat do të jenë të gjithëpranuara, rezultati i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë i gjithëpranuar nga të gjitha palët që garojnë dhe partitë politike të angazhohen për një fushatë të qetë, të pastër, të thjeshtë, një fushatë pa shumë shpenzime dhe harxhime të kota po të kemi parasysh që jemi në kushtet e një lufte që vazhdon të zhvillohet edhe në këto momente në Europë”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se opozita ka filluar të ndërtojë alibinë e humbjes.
“Saliu dhe Iliri thonë që do humbin zgjedhjet për shkak se ka ikur rinia. A ka ndonjë të ri që mund ta ketë mendjen përmbys që t’i japë votën një nongrate shpallur për korrupsion, për minim të demokracisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe? Ka ndonjë të ri në këtë vend që mund të besoj që Shqipëria mund të bëhet më mirë me Sali Berishën? E ka provuar Shqipëria”, deklaroi kreu i grupit parlamentar socialist.
Balla theksoi se shqiptarët më 14 maj do t’i tregojnë me votë fundin politik dyshes Meta-Berisha.
Më tej në fjalën e tij, Balla bëri të ditur se SPAK-u u krijua pikërisht për të pasur dyer të hapura dhe që askush mos të gëzojë një lloj imuniteti 30-vjeçar që pati ekzistuar.
Ai vuri në dukje se 7 vite pas votimit të ndryshimeve kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, shqiptarët besojnë se as Partia Socialiste, as Kryeministri Rama nuk e kontrollon më drejtësinë.