Nga 1 janari i vitit që vjen biznesi i vogël do të çlirohet edhe nga barra e pagesës së tatimit mbi fitimin.

Vendimi i marrë nga qeveria është mirëpritur nga biznesi dhe ka krijuar besimin se do të jetë një ndihmë e madhe në situatën e krijuar prej pandemisë së COVID-19.

Ata shprehen se kjo ulje taksash do t’u krijojë atyre mundësinë të kursejnë më shumë para për t’i përdorur më pas për investime të reja, apo për të përmirësuar mirëqenien në familjet e tyre.

Barra fiskale për biznesin ka ardhur në rënie në këto vitet e fundit.

“Është fakt, janë aty të dokumentuara të gjitha. Vetëm pak vite më parë paguaja rreth 150 mijë lekë taksa, ndërsa sot paguaj vetëm 25 mijë lekë taksa gjithsej”, shprehet një nga pronarët e një pike shitjeje me pakicë në Tiranë.

Nga data 1 janar 2014, biznesit të vogël (tatimpaguesit me qarkullim nën 8 milionë lekë) iu përgjysmua tatimi mbi fitimin në 7,5% në krahasim me biznesin e madh (tatimpaguesit me qarkullim mbi 8 milionë lekë), për të cilët norma tatimore u bë 15%. Tatimpaguesit me qarkullim nga zero në 2 milionë lekë paguanin një tatim fiks prej 25 mijë lekësh në vit.

Nga data 1 janar 2016, u propozua të thellohet kjo ulje, me një normë tatimi prej vetëm 5%, për tatimpaguesit nga 5 milionë deri në 8 milionë lekë, ndërsa për tatimpaguesit me qarkullim nën 5 milionë lekë, tatimfitimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël u bë zero.

Nga 1 janar 2019, u ndryshua mënyra e shkallëzimit për efekt të aplikimit të normës së tatimit mbi fitimin. Për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë norma e tatimit mbi fitimin propozohet 5% e fitimit para tatimit, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit mbi fitimin të mbetet 15% e fitimit para tatimit.

Aktualisht, norma tatimore për efekt të tatimit mbi fitimiN bazohet në qarkullimin vjetor të tatimpaguesve dhe konkretisht shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit dhe 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 milionë lekë në vit./ATA/