ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi vendimin në të cilin përcaktohen kushtet e certifikimit të performancës së energjisë për ndërtesat e reja dhe ato ekzistuese në të gjithë territorin e Republikën e Shqipërisë.

Sipas vendimit të publikuar, Agjencia për Eficiencën e Energjisë do të verifikojë të dhënat e dorëzuara nga audituesit energjetikë.

Çdo subjekt që ka në pronësi ose administrim një ndërtesë, për të cilën është i detyrueshëm certifikimi i performancës së energjisë, zgjedh një auditues energjie nga Regjistri i Audituesve Energjetikë të certifikuar, të publikuar në faqen zyrtare të agjencisë përgjegjëse për efiçencën e energjisë.

Audituesi i energjisë kryen auditimin energjetik, duke ndjekur rregullat e përcaktuara në Kodin e Praktikës dhe lëshon CPE-në dhe raportin e verifikimit mbi bazën e të dhënave.

Në përfundim të auditimit energjetik dhe gjenerimit të CPE-së, duke përdorur programin kompjuterik të miratuar, audituesi i energjisë dërgon në formë elektronike, në sistemin kompjuterik, kërkesën për regjistrimin e “Certifikatës së performancës së energjisë” në Regjistrin Kombëtar të Certifikatave për Performancën e Energjisë.

Nëse Certifikata e Performancës së Energjisë, pas vlerësimit të hedhjes së vlerave hyrëse nga agjencia përgjegjëse për efiçencën e energjisë, refuzohet, audituesi kryen veprime korrigjuese ose kërkon tërheqjen e kërkesës për regjistrimin e Certifikatës për Performancën e Energjisë.

Regjistrimi përfundimtar i Certifikatës për Performancën e Energjisë të lëshuar nga audituesi bëhet nga agjencia përgjegjëse per efiçencën e energjisë brenda 5 ditëve pune, duke marrë vulën e firmën e agjencisë. Procesi i regjistrimit nuk parashikon verifikimin dhe kontrollin e CPE-së. /j.p/