ATSH/ Zv. kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi sot se, nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël.

Në përgjigje të interesit të medies, pas mbledhjes së qeverisë Ahmetaj theksoi se, “nuk do rriten çmimet për familjarët dhe biznesin e vogël. Do vazhdojmë ta mbrojmë familjen dhe biznesin e vogël nga gjëma ndërkombëtare e çmimeve të energjisë elektrike”.

“Jemi duke punuar për garantimin e furnizimit me energji elektrike 24 orë në 7 ditë të javës, megjithëse furnizimi dhe në botë ka qenë me problematika”, u shpreh Ahmetaj.

Zv. kryeministri bëri të ditur se, Kryeministri ka qenë shumë i qartë në deklarimin e planit për këtë çështje.

“Pika e parë që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me furnizimin me energjinë elektrike. Pika e dytë ka të bëjë me mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike për familjarët dhe biznesin e vogël. Për pjesën tjetër ka një reformë, një skedë që do vazhdojë ashtu siç ka qenë e planifikuar”, deklaroi Ahmetaj. /a.a/