Pas optimizmit nga marrëveshja e OPEK-ut, çmimet e naftës në tregje nuk po gjejnë qetësi duke iu afruar rekordeve më të ulëta prej dekadave. Kërkesa e ulët për hidrokarbure nga pandemia janë faktori kryesor që ka përgjysmuar vlerën e arit të zi në pak muaj.

Çmimet e naftës në botë vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme edhe pas marrëveshjes së arritur mes aktorëve kryesorë për uljen e prodhimit.

Standardi “Brent” për Europën shënoi të mërkurën rënien me 5 për qind duke prekur vlerën e 28 dollarëve për fuçi, pas uljes me 7 për qind të martën.

Ndërkohë që standardi i brutos në Nju-Jork ra në vlerën e 19 dollarëve për fuçi, apo mbi 12 për qind më pak në harkun e dy ditëve.

Të dyja klasifikimet kryesore të naftës bruto u ndikuan nga lajmi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë se kërkesa për hidrokarbure në 2020-ën do të jetë më e ulëta në 25 vite teksa shtetet shtyjnë në kohë masat e vetizolimit dhe ndalimqarkullimit për arsye të koronavirusit.

Ndërkaq Arabia Saudite, pas luftoi me çmime me Rusinë duke sjellë muajin e kaluar rekordin më të ulët të vlerës së naftës në 18 vite, duket se po vijon të njëjtën strategji pasi mësohet se ka firmosur një marrëveshje me Azinë për ta shitur produktin e saj bruto me 7,3 dollarë më lirë për fuçi sesa mesatarja e çmimeve në Gjirin Persik.

Lajmi se SHBA-ja pret të akumulojë mbi 11 milionë fuçi nafte në inventarin e saj në fund të javës gjithashtu ngacmuan indekset e hidrokarbureve.

Çmimi i naftës prej javësh ka arritur gjysmën e vlerës së fillimvitit si pasojë e pandemisë.

Të dielën, anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës ranë dakord të shkurtojnë me rreth 10 milionë fuçi në ditë prodhimin për muajt maj dhe qershor, por presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo sasi pritet të dyfishohet për të stabilizuar situatën.

/Ora News.tv/