ATSH/- Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, u shpreh se, në situatën e vështirë që ka krijuar COVID-19, që ka prekur ekonominë, biznesi është në pritje të një pakete të tretë ekonomike, e cila duhet të ketë një fokus totalisht për biznesin.

Në fjalën e mbajtur sot në takimin e organizuar nga Banka e Shqipërisë në me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Sfidat e përbashkëta ekonomike në kushtet e pandemisë globale COVID-19”, Muçostepa, vlerësoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë ku përmendi rritjen e stimulit monetar në ekonomi me anë të uljes në 0.5 % të normës së intërësit me të cilën u jepet kredi bankave të nivelit të dytë, heqjes e kufizimit të sasisë së likuiditetit që Banka e Shqiperisë u jep bankave tregtare si dhe vendimin e marrë nga Banka e Shqipërisë për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për tre muaj.

“Duhet ta inkurajojmë në ndërmarrjen e hapave të radhës të cilat duhet të jenë një hap para zhvillimeve ekonomike. Sipërmarrja ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe Banka e Shqipërisë duhet të përgatisë dhe paraqesë një ndërhyrjeje të dytë me qëllim lehtësimin e pasojave post-koronavirus”- tha ajo.

Muçostepa tha se, bizneset e prekura më shumë nga kriza e pandemisë kanë nevojë për një shtyrje më afatgjatë të pagesës së kësteve të kredisë në përfundim të masës së parë që përfundon më 31 maj 2020.

“Banka e Shqipërisë duhet t’i krijojë mundësi bankave të nivelit të dytë për të bërë një ristrukturim më afatgjatë në funksion të goditjes që kanë pësuar. Për sektorin prodhues, të trasportit, të turizmit dhe atë fason kërkojmë që: pagesa e kësteve të kredive të shtyhen nga 6 muaj deri në një 1 vit, si dhe të miratohen sa më parë aktet normative lidhur me garancinë e dytë sovrane për të ofruar likuiditet në investime apo në rifillimin e punës”- tha ajo.

Gjithashtu theksoi ajo, garancia sovrane, e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private, duhet të jetë e pa limituar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që kanë një rënie të të ardhurave prej më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimit, dhe duhet të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2% dhe shlyerja e kësaj kredie të fillojë në janar të vitit 2021 për një periudhë nga 2 deri 5 vjet.

“Kërkohet gjithashtu ristrukturimin e të gjitha kredive në bazë të kërkesave për një kohëzgjatje deri në 5 vjet pa penalitete dhe pa rritje të normave të interesit për të gjitha kreditë e bizneseve dhe individë”- thekosoi ajo.

Muçostepa, parashtroi se gjatë periudhës së ringritjes vëmëndja duhet të fokusohet në mënyrën se si do të rekuperohet zhvillimi i ekononisë, si mund të mbështeten sektorët eksportues me anë të paketave mbështetëse, si duhet të ndihmohen bizneset që të mund të hapen përsëri, shtimi i vlerës së produkteve lokale, rëndësia e digjitalizimit të ekonomisë si dhe rikthimi i njerezve në punë dhe ndërhyrja e shtetit në mbështëtje të punësimit.

Në emër të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë ajo falenderoja Guvernatorin e Shqipërisë për organizimin e këtij takimi në kushte krejt të pazakonta por shumë të rëndësishëm dhe shprehu bindjen se “me gjithë vështirësitë me të cilat po ndeshet ekonomia jonë, kriza jep edhe mundësi për të ndermarrë nisma të reja, sjell përpjekje për të ndryshuar drejtimin e tregut, zbatimin e metodave të reja të prodhimit”. e.xh/j.p/