ATSH-Maela Marini/ Parku Arkeologjik i Apolonisë po përgatitet sipas një plani masash për garantimin e shëndetit të turistëve, ndërkohë që janë në pritje të vendimit për hapjen e dyerve për vizitorët, që do të merret nga qeveria dhe Ministria e Kulturës.
Në një intervistë për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj foli mbi ndikimin që do të ketë pandemia e COVID-19 në turizmin arkeologjik.
Ajo tha se “së pari ajo që reflektohet në sektorët e turizmit është ulja e madhe në vizitueshmëri e sidomos kjo do shihet për vizitorët e huaj”. “Këtë vit besoj vizitorët më të shumtë do të jenë vendasit”, tha Dyrmishaj.
Për drejtoreshën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, “ulja e numrit të vizitorëve sjell një ulje drastike të të ardhurave, për të cilat deri tani kemi një deficit prej 2 milionë lekësh.
Gjithashtu, ajo tha se “ndikon edhe në ndërhyrjet në sit për mirëmbajtjen, restaurimet, aktivitetet por edhe ndërhyrjet e reja në territor”.
“Kjo gjë do të na penalizojë shumë në aktivitetin tonë por njëkohësisht do të na japi një shtysë më shume të realizimeve dixhitale dhe online. Siç është muzeu online i dixhitalizuar vitin e kaluar dhe që sot mund të vizitohet online nga të gjithë”, tha ajo.
COVID-19, sipas Dyrmishaj, “do të sjellë një ndryshim të madh jo vetëm social, por edhe kulturor e ekonomik”.
Duke folur për masat paraprake që po merren, Dyrmishaj tha se “deri tani po merremi me vendosje sinjalistike për mbajtjen e distancave brenda në Manastir dhe Muze”. Gjithashtu, ajo tha se “kemi përgatitur një rregullore të brendshme për masat ndaj COVID-19.
“Do të funksionojmë me numër të vogël deri në 15 vizitorë brenda ambienteve të mbyllura si Muzeu dhe Manastiri. Po ashtu, duke ruajtur hapësirën mes punonjësve të stafit por edhe mes njëri-tjetrit. Dezinfektuesit do të jenë prezent në Muze dhe biletari. Gjithashtu dezinfektimi i tyre do të bëhet disa herë në ditë”, tha ajo.
Dyrmishaj tha se “të gjitha këto, por edhe masa të tjera do të merren përpara se të hapemi për publikun”.
Ajo theksoi se “stafi është i pajisur me mjete mbrojtëse si maska e dorashka”.
“Akoma jemi duke u marrë me masat paraprake. Kur të ketë një vendim nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës do të realizohet edhe hapja e Parkut dhe Muzeut Arkeologjik. Deri tani një pjesë e vogël e stafit ka punuar nga shtëpia (financa, muzeu) kurse pjesa tjetër kanë qenë fizikisht në punë duke respektuar normat e sigurisë dhe turnet e rotacionit”, tha ajo.
Afati për hapjen e Parkut Arkeologjik, sipas saj do të vendoset sipas evoluimit të situatës në vend.
“Fieri ka një numër të konsiderueshëm personash të infektuar, por që e kanë kaluar sfidën me virusin, por kjo s’do të thotë të mos kemi kujdes”, tha ajo. /j.p/