ATSH/ Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, bëri të ditur sot se thirrja V e Programit kombëtar të praktikave të punës, është pezulluar duke qenë se situata ende nuk është normalizuar, në zbatim të vendimit “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.

“Në rast se studentët e përzgjedhur interesohen mbi fillimin apo ecurinë e Programit njoftojmë se Programi Kombëtar i Praktikave të Punës vetëm është pezulluar, për momentin”, – thekson ministria.

MASR shprehet se “kur të merret vendimi, në varësi të situatës së krijuar nga COVID-19 19, programi do të fillojë në fazën ku u pezullua. Rrjedhimisht të gjithë ata që janë përzgjedhur fitues do të thirren nga institucionet përzgjedhëse për të filluar praktikën tremujore”.

Me anë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës pjesëmarrësit që janë të rinj nga 21-26 vjeç përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, pajisjen me të ashtuquajturat “aftësi të buta” si, puna në grup, komunikimi i sigurt, përshtatshmëria në ambientin e punës, aftësia për të ndërmarrë iniciativa.

Periudha tremujore e praktikës do të njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike, ndërsa në përfundim të saj ofrohet punësim për mbi 200 më të mirët. /k.s/j.p/